Transmetuar më 12-01-2019, 13:59

Aeroporti i Kukësit, i ndërtuar nga arabët shumë vite më parë, kurrë nuk ishte vënë në punë. Qeveria, po përpiqet të aktivizojë një aeroport të dytë civil dhe të parin me kosto të ulët (low cost) ndaj ka planifikuar çeljen e aeroporteve të rinj.

Pasi dështoi me aeroportin e Vlorës pasi turqit e Turkish Airlines dhe qeveria turke u tërhoqën, kemi një tjetër tërheqje e cila pasohet nga fitim tenderi për koncesion nga një kandidat i vetëm në garë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi të premten se ka përmbyllur fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka shpallur fituesin për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit. “Bami” dhe një kopani e dytë, ofruan gati 8 milionë euro dhe bashkimi i tyre u identifikua nga komisioni si oferta e suksesshme.

Në fakt kjo ishte e vetmja ofertë që u paraqit në tender.

Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me një kompani të tretë, holandeze, me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.

Në një komunikatë zyrtare që shpërndau dje ministria e Infrastrukturës, tha se më herët më 31 korrik 2018, shoqëria e karburanteve dhe disa bizneseve të tjera, Kastrati, dha ofertë të pakërkuar për aeroportin e Kukësit dhe morën bonusin prej 8% të pikëve, por në ditën e tenderit, më 20 dhjetor, Kastrati nuk u paraqit në garë duke u tërhequr.

Kastrati nuk ka publikuar ndonjë informacion pse u tërhoq nga gara.

Çfarë parashikohet të ndodhë

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.

Pista për avionët në flotën e linjave ajrore me kosto të ulët, do të zgjerohet deri në një gjatësi prej 2.200 metra, dhe do të ketë kodin me numrin 4. Me rritjen e kodit do të rritet edhe gjerësia e pistës në 45 metra. Me qëllim të zgjerimit dhe zonave të sigurisë do të bëhet një shtesë prej 66.000 m2 të zonës së aeroportit. Zgjerimi i propozuar i terminalit të udhëtarëve do të jetë nga aktualisht 600 m 2 deri 3.800 m 2 ose me fjalë të tjera do të bëhet zgjerimi i terminalit maksimumi deri në stacionin e zjarrfikës.

Zgjerimi i terminalit të udhëtarëve është zgjerimi i dhomave të pritjes për të siguruar kapacitet të mjaftueshëm për ngjitje paralele në bordin e 3-4 avionëve. Përveç zgjerimit të terminalit, do të bëhet edhe zgjerimi i platformës dhe gjithashtu do të ndërtohet edhe sistemi i dytë i rrugës së manovrimit në pistë që do të lidhë platformën dhe pistën. Për shkak të statusit të aeroportit me kosto të ulët, do të përdoret ngjitja në bord e udhëtarëve duke ecur nga terminali në avion.

Aktualisht ndodhen dy parkingje para terminalit të udhëtarëve të Aeroportit të Kukësit. Një parking është për udhëtarët VIP me kapacitet prej 20 makinash dhe një tjetër është parking i rregullt me kapacitet për 26 makinash. Për shkak të faktit se në Aeroportin e Kukësit do të operojnë avionë me kapacitet 180 – 189 vende, është i detyrueshëm zgjerimi i parkimit.

Aeroporti që u ndërtua një herë nga arabët, por kurrë nuk u vu në punë

Aeroporti i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës. Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila u përball me fluksin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Pas pranimit të kësaj ideje, projekti i Aeroportit të Kukësit u zhvillua më tej me studime të përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (AAC) dhe arabëve. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të 15 shkurtit 2001, u miratua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit. Aeroporti i Kukësit u ndërtua nga kompania Al-kharafi që kishte përfaqësuesin e saj në Shqipëri.

Fillimi i ndërtimit të aeroportit ishte më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005. Pas përfundimit të ndërtimit, në 2016 u instaluan pajisjet e navigimit. Shuma totale e investimeve ishte afërsisht 20 milionë dollarë, duke përjashtuar pajisjet e navigacionit, të cilat ishin në marrëveshjen fillestare, por u financuan gjithashtu nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Më datë 7 Qershor 2006, Aeroporti i Kukësit u transferua nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DPAC).