Transmetuar më 11-01-2019, 20:10

Miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Maqedonisë duke u quajtur zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut e ka përshëndetur edhe ministri i jashtëm në detyrë Ditmir Bushati.

Përmes një postimi në Twitter, Bushati thotë se me votimin përfundimtar të marrëveshjes së Prespës, vendit i hapet rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Sipas Bushatit, kontributi i partive politike shqiptare në Maqedoni edhe njëherë u dëshmua si faktor vendimtar.

“Vota finale e marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e Maqedonisë është demostrim i qartë i aftësisë politike për të zhbllokuar rrugën drejt NATO-s dhe BE. Kontributi i faktorit politik shqiptar provoi sërish që është faktor vendimtar. Urime!”- shkruan Bushati.

Emri i ri i Maqedonisë ka marrë votën “pro” në parlamentin vendas. Kështu, në bazë të ndryshimeve kushtetuese, ky shtet do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në seancën e sotme ishin 81 deputetë që votuan “pro” ndryshimeve kushtetuese, dhe ky cilësohet si një hap i madh drejt proceseve integruese.

Amendamentet ishin pjesë e Marrëveshjes së emrit të firmosur në Prespë qershorin e kaluar midis Athinës dhe Shkupit. Sipas marreveshjes, emri Republika e Maqedonisë ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut./b.l/noa.al/

Parlamenti voton “pro” emrit të ri të Maqedonisë,  ja si votuan partitë shqiptare