Transmetuar më 11-01-2019, 13:05

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha komenton të propozuarin për ministër të Jashtëm, Genti Cakaj, i cili nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta.

Ajo i drejtohet në emër “Zoti Genti” dhe si ish-ministre e Integrimit dhe si nën kryetare e komisionit të Punëve të Jashtme thotë se ka dashur shumë të njihej me opinionet e tij në Komisionin e Jashtëm por edhe në Këshillin Kombëtar të Integrimit.

Por ish-ministrja thotë se ai nuk mori pjesë kurrë, pavarësisht momenteve kyçe që po kalon Shqipëria në këtë proces historik dhe interesit që duhet të kishte treguar për të informuar këto instanca.

Gjosha shton se edhe në një emision ku duhet të përballeshin të dy qershorin e kaluar për çështjen e negociatave, ai nuk pranoi që të shkonte në studio por qëndroi në lidhje direkte nëpërmjet televizionit.

“Më vjen keq që nuk arrita të të kisha përballë për të të njohur më mirë por edhe për të kuptuar botëkuptimin tënd për politikën e jashtme dhe proceset integruese! Aq më tepër që unë nuk njihem si politikane agresive! Edhe unë kam lexuar pak, kurrsesi aq shumë sa ty, por sot doja të të pyesja se në cilin dokument të Bashkimit Europian ju keni lexuar për një politikë të ndryshimit të kufijve? Ndoshta më ndihmon edhe mua të kuptoj më mirë vizionin e Bashkimit Europian për Ballkanin?”, shprehet Gjosha.

Ajo shkon më tej duke thënë se nëse do të ishte ministër i Jashtëm dhe për rrjedhojë edhe drejtues i OSBE në vitin 2020, është kurioze të dinte nëse do ta implementonte konceptin e suazave të korrigjimeve territoriale të përgjithshme të kufijve qe po ndodhin në Ballkanin Perëndimor edhe për Ukrainën, Libinë, Sirinë.

“Interesante do të ishte apo jo???”, thotë në mbyllje të qëndrimit ish-ministrja e Integrimit. /a.y/noa.al