Transmetuar më 11-01-2019, 11:36

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e studentëve ekselencë, duke thënë se ligji i shërbimit civil dhe rekrutimi në shërbimin civil bazuar në këtë ligj, janë shprehje e një pune të bërë për një kohë të gjatë nga Komisioni Europian dhe monitorohet prej tij.

Ai tha se protesta e studentëve dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella solli nevojën për të hapur dyert e administratës duke kapërcyer disa pengesa që ka ligji i hartuar bashkë me partnerët europianë, dhe se tani mund të thuhet se ne në këtë moment është e nevojshme që të kapërcehet ligji.

Ndaj deklaroi ai, me një vendim qeverie iu hapet rrugë gjithë atyre që janë më të mirët që të kontribuojnë në administratën shtetërore dhe në këtë mënyrë shmanget mungesa e eksperiencës.

Sipas Ramës, me këtë program kapërcehet ligji dhe falë protestës dhe kësaj shtyse kapërcehet gjithë tradita dhe inercia “e tepsisë së famshme”.

“Të gjithëve sot, qoftë partnerëve, qoftë të partisë, unë ju them s’kemi çfarë bëjmë, prioritetin e kanë këta që janë më të mirët. Dhe ky prioritet garantohet në mënyrë transparente dhe krejt mekanike. S’ka nevojë për konkurs, konkursin e ka bërë jeta akademike me rezultatet e se cilit. Nuk ka më si e ke emrin, i kujt je, për kë voton, kush është partia, kushëriri! Gara është korrekte dhe transparente, ku secili nga ju do ketë kodin e vetë, siç e kanë studentët që duan të hyjnë në universitet”, u shpreh Kryeministri.

Ai shtoi më tej se në këtë mënyrë djali i një çobani nga Tepelena me rezultate më të larta, mund të zërë vendin para djalit të tij në administratë.

Në këtë moment kujtoi se i biri Greg, bëri një vit punë para se të niste universitetin, pasi nuk kishte mik.

“Nëse kemi për shembull pesë vende pune në Ministrinë e Financave, këta studentë mund të jenë 15! Si do merren? Ai që ka rezultatin më të lartë ka i pari të drejtën”, deklaroi Edi Rama.

Po ashtu tha se zgjedhjen e parë e kanë ata që kanë mbaruar universitetin jashtë, më pas ata që kanë përfunduar universitetet publike në Shqipëri dhe të tretët ata që kanë përfunduar universitetet private.

Sipas tij është e pavërtetë që për të hyrë në shtet duhet të kesh master me patjetër.

Ai kujtoi se do paguhet 50% e tarifës për studentët nga 4-8 dhe 100% për të tjerët. Sa i takon atyre që kanë paguar 100%, deklaroi se do të gjendet një zgjidhje, që ose do ju kthehen, ose do ju paguhet e plotë tarifa vitin që vjen. /a.y/noa.al