Transmetuar më 11-01-2019, 09:58

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur brenda pak minutave Presidentit Ilir Meta, i cili tha se nuk ka fuqi në botë që ti bëjë shantazh dhe presion kreut të shtetit.

Gjithçka lidhur me refuzimin e dekretimit të shqiptarit të Kosovës, Gent Cakaj, si ministër i Jashtëm.

Duke përdorur një gjuhë ironike ndaj Presidentit dhe duke nënkuptuar të shoqen Monika Kryemadhi, Rama shkruan, “Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktoresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, nga që s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”.

Më herët Meta tha, “Ai që guxoi të kërcënojë komisar Dritan Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

Ai deklaroi se nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e para!”, thotë Presidenti. /a.y/noa.al

Meta i kthehet Ramës: S’ka fuqi në botë ti bëjë shantazh Presidentit

Rama akuzon Metën në prani të trupit diplomatik: President me avaze të vjetra

Vijon përplasja Rama-Meta, Presidenti i përgjigjet Kryeministrit

Mos dekretimi i ministrit, Rama: Argumentet e Metës, turpërim skandaloz