Transmetuar më 11-01-2019, 09:30

Presidenti Ilir Meta reagon ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, pasi u refuzua dekretimi i Gent Cakaj, si ministër i Jashtëm.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Dritan Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, shprehet Meta.

Ai deklaron se nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas kreut të shtetit, nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e para!”, thotë Presidenti.

Sakaq gjatë një takimi që pati pasditen e kësaj të enjteje me diplomatë të ndryshëm, Kryeministri Edi Rama tha se, “Ju erdhët këtu, gjetët një qeveri të re por një Shqipëri të njëjtë, dhe me avazin e Presidenti të Republikës, që nuk pranoi të dekretoi një ministër të jashtëm, por unë nuk e parashikoja dot këtë fakt”.

Duke folur për Gent Cakaj, Kryeministri tha se “paragjykimet dhe mllefi i injorantëve kanë bërë për të prezantimin më të rrejshëm që mund të imagjinohet përpara se ai të hapë gojën si ministër”.

Për këtë qasje ndaj tij, Kryeministri rendit tre arsye që sipas tij janë mosha e re, të qenurit i pastër, dhe se është nga Prishtina.

Kreu i qeverisë tha se Cakaj nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan, e aq më tepër mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme”, u shpreh Rama.

Më herët Rama tha se, “Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”. /a.y/noa.al

Rama akuzon Metën në prani të trupit diplomatik: President me avaze të vjetra

Vijon përplasja Rama-Meta, Presidenti i përgjigjet Kryeministrit

Mos dekretimi i ministrit, Rama: Argumentet e Metës, turpërim skandaloz