Vrau kunatin dhe mori peng një tjetër, kapet në Itali miku i Durim Bamit
Transmetuar më 11-01-2019, 08:49
Durim Bami

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje është vënë në prangat e policisë italiane për llogari të drejtësisë shqiptare.

Ai është Dritan Karaj, 38 vjeç nga Kruja, i cili akuzohet se ka vrarë kunatin e tij dhe po ashtu ka rrëmbyer një person tjetër.

Karaj njihet si mik i Durim Bami, i cili u hetua si personi që deklaroi se ishte paguar për të eliminuar deputetin Tom Doshi dhe ish-deputetin e PD-së, Mëhill Fufi, por se ishte penduar.

Sakaq kapja e 38-vjeçarit, u bë si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me policinë italiane, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Romës u lokalizua vendndodhja në Bergamo.

Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata për Krime të Rënda Tiranë me vendimin e datës 8 korrik 2004, e ka dënuar me 19 vjet burgim për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’, ‘Heqje e paligjshme e lirisë’, ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit’ dhe ‘Vetëgjyqësi’, kryer në bashkëpunim”.

Ai akuzohet se në Fushë Krujë, më 11 mars 2004, i pandehuri Dritan Karaj ka vrarë me armë zjarri kunatin e tij dhe është larguar nga vendngjarja.

Gjatë periudhës që Karaj qëndronte i fshehur, së bashku me një shtetas tjetër i kanë hequr padrejtësisht lirinë për qëllim përfitimi të një shume prej 7 mijë eurosh, shtetasit Edmond T.

Për këto vepra penale i pandehuri është hetuar e gjykuar në mungesë dhe është deklaruar fajtor duke u dënuar me vendim të formës së prerë.

Lidhur me pengmarrjen, ai akuzohet se së bashku me Durim Bamin, i kanë hequr padrejtësisht lirinë për qëllim përfitimi të një shume prej 10 mijë eurosh, shtetasit Edmond T.

Për t’iu shmangur hetimit dhe gjykimit, Dritan Karaj me ndërmjetësinë e shtetases V.L., me të cilën kishte lidhje krushqie, është strehuar përkohësisht për një periudhe 3-4 mujore te një i njohuri i kësaj të fundit i quajtur Edmond T., që banonte në Vlorë. Karaj ka shpresuar se strehuesi i tij do ta ndihmonte atë të largohej jashtë shtetit. Gjatë periudhës që qëndronte i fshehur, në emër të tij ka ardhur nëpërmjet një agjencie të këmbimit valutor, shuma 8700 euro, e cila është tërhequr nga strehuesi i tij.

Pas dështimit të tentativave për t’u larguar jashtë shtetit, në qershor 2004 Dritan Karaj ka vendosur të kthehej në banesën e tij në fshatin Nikël të Fushë-Krujës.

Me kërkesë të tij është shoqëruar nga Edmond T. dhe deri në Vorë kanë shkuar me taksi. Në Vorë ata i ka pritur Durim Bami, shok i Dritan Karajt, dhe me mjetin e tij janë nisur për në banesën e të pandehurit në Nikël, shkruan ‘panorama’.

Pasi kanë udhëtuar disa minuta, Dritani dhe Durimi, kanë zbritur Edmond T. nga makina dhe e kanë keqtrajtuar për disa çaste, duke i kërkuar dhënien prej familjareve të tij të shumës prej 10 mijë euro në këmbim të lirisë, pasi në të kundërt do t’i rrezikohej jeta”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, të vitit 2007.

Në kërkim për vrasje dhe rrëmbim, kapet në Itali i shumëkërkuari