Transmetuar më 10-01-2019, 21:52

Kryetari demokrat Lulzim Basha tha sonte se kandidatura e zotit Caka, nuk është kandidatura e përshtatshme për ministër të Jashtëm.

“Kjo është bindja ime pasi kam parë dhe konfirmuar disa prej fakteve të bëra publike edhe në letrën e dërguar nga presidenti, kryeministrit. Çështja më e rëndësishme këtu nuk është standardi që po standardi që po vendos presidenti, por standardi që po konsolidon kryeministri”, – tha Basha në Tv Klan.

Ai shtoi: “Problemi kryesor këtu nuk është standardi që po vendos apo ka vendosur presidenti, problem është standardi i vendosur nga kryeministri në dy emërime njëri pas tjetrit”.

“Si jurist, si kryetar i opozitës mund të them se papërgjegjshmëria politike e manifestuar me rastin e parë kur shkoi një ushtarak për tu dekretuar ministër i Brendshëm në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ka shkuar shumë më thellë tani.

Tani është çuar për dekretim një tjetër person i cili ka thyer në mënyrë flagrante ligjin për informacionin e klasifikuar”.

Më tej Basha tha: “Tani këtu, kur ka skandale të përmasave të tilla si falsifikimi i dokumenteve dhe vjedhja me 20 milionë euro për një km, këtu ku kriminelët janë bërë deputetë e kryebashkiakë, kjo mund të duket shumë e vogël dhe ky është problem”.

“Në kushtet kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, kandidati për ministër të jashtëm nuk mund të jetë një figure që ka shkelur kriteret minimale të ruajtjes së informacionit të klasifikuar. Në rastin konkret, sepse unë i marr të mirëqena argumentet e presidentit, sepse ka bërë verifikimet institucionale, është zbuluar se si zv.ministër i Jashtëm ai ka shkelur detyrimin për të aplikuar dhe për tu pajisur me certifikatën e sigurisë së lartë, top sekret dhe sekret kozmik që është pasojë e certifikimeve kombëtare.

Nuk dëmtoj asnjë sekret shtetëror nëse them se ministrat e jashtëm, zv.ministrat e Jashtëm, ministrat e Mbrojtjes, zv.ministrat e Mbrojtjes, janë tashmë në kontakt jo thjeshtë me sekrete të shtetit shqiptar, por edhe me sekrete të Aleancës së Atlantikut të Veriut, – pohoi z.Basha. /noa.al/