Edhe studentët e Ekonomikut nisin ngujimin në fakultet, kërkojnë mbështetje
Transmetuar më 10-01-2019, 20:00

Një formë e re e të protestuarit është shfaqur këtë fillim viti nga ana e studentëve në Tiranë.

Pas të rinjve të fakultetit të Drejtësisë, edhe ata të Ekonomikut kanë vendour që të ngujohen në auditore.

Në një deklaratë, ata u bënë thirrje të gjithë studentëve të bashkohen me nismën e tyre.

“Pas shumë mbledhjeve të organizuara, ne si studentë të Fakultetit të Ekonomisë sot fillojmë ngujimin. Kjo është vendosur dhe ne kërkojmë që të bashkohen edhe universitetet e tjera. Ne kemi vendosur të qëndrojmë ditën dhe natën të ngujuar”, shprehen studentët.

Ata thonë se në këtë reagim kanë mbështetjen edhe të pedagogëve.

Më herët, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë mungonte energjia elektrike, e cila u ndërpre pak para nisjes së takimit.

Studentët thanë se ndërprerja e energjisë nga OSHE ishte e qëllimshme pasi energjia mungonte vetëm në këtë ndërtesë dhe jo ndërtesat e tjera përreth. /k.k/noa.al/