Transmetuar më 10-01-2019, 18:46

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sonte në takimin me trupin diplomatik bashkë me ministrin e Jashtëm të shkarkuar prej tij, Ditmir Bushati.

Rama që në fillim foli mbi vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për mos dekretimin e ish-këshilltarit të tij, Gent Cakaj, në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Presidenti refuzoi sërish të dekretojë një ministër, por për këtë çështje do të flas në vijim”, tha z.Rama, duke vazhduar për disa minuta me fjalimin e përgatitur në avancë dhe për t’iu rikthyer më pas temës së nxehtë të ditës.

Rama shprehu falënderim për Ditmir Bushatin, duke paralajmëruar se mund ta mbajë sërish në qeveri:

“Ai dha më të mirën e tij dhe do të vijojë të jetë në familjen tonë qeverisëse dhe politike”, – tha z.Rama.

Më tej ai u ndal te rasti “Cakaj”:

“Mllefi i injorantëve ka bërë për të, prezantimin më të rrejshëm publik, para se ai vetë të hapë gojën si ministër. E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për tre arsye: Sepse është shumë i ri, pra nuk i përket botës së tyre të vjetër

Sepse është shumë i pastër, domethënë nuk mund të akuzohet për asgjë

Sepse është nga Prishtina, domethënë se një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë.

Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, por si një shqiptar pasionant për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon për mua, shtetas i Shqipërisë që fillimisht punoi si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër i Jashtëm”.

Më tej Rama tha se “Cakaj nuk ka folur asnjëherë gjëra që bien ndesh me politikën tonë të jashtme” dhe se “ai kurrë nuk ka folur për ndryshime kufijsh në Ballkan”.

Kryeministri shpalli planin e qeverisë për rritje të komunikimit në rajon, sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi dhe shtoi:

“Do të punojmë për një rajon që të jetë vendi ku e ardhmja e fëmijëve tanë, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, të mos jetë si e djeshmja që mesa duket e kemi shumë të vështirë ta lëmë pas”.

Bushati, pikëpyetjet nëse do të jetë ende MPJ

Bushati flet në takimin me Ramën dhe diplomatët, lë të kuptohet se s’do jetë më MPJ

Në takimin e sotëm në Kryeministri me trupin diplomatik, merrnin pjesë ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë diplomacie të akredituar në Shqipëri dhe diplomatëve shqiptarë nëpër botë.

Në takim ishte i pranishëm ministri i shkarkuar nga Edi Rama, Ditmir Bushati. Ai foli në cilësinë e ish ministrit të Jashtëm, kur përmendi punën e bërë derimë tani.

Në fjalën e tij të shkurtër, Bushati la të kuptojë se nuk do të jetë në vijim MPJ edhe pse Presidenti nuk e dekretoi shkarkimin e tij dhe as emërimin e shqiptarit nga Kosova, Gent Cakaj.

/noa.al/