Transmetuar më 10-01-2019, 18:44

Kryeministri Rama e ndau edhe me trupin diplomatik vendimin e Presidentit Meta për të mos dekretuar ministrin e ri të Jashtëm.

Në pritjen e çdo fillim viti me ambasadorët e vendeve të huaja të akredituara në Tiranë, kreu i qeverisë u tha diplmatëve se po gjejnë një qeveri të re, por një President me avaz të vjetër.

“Ju sot erdhët këtu, gjetët një qeveri të re por një Shqipëri të njëjtë, dhe me avazin e Presidenti të Republikës, që nuk pranoi të dekretoi një ministër të jashtëm, por unë nuk e parashikoja dot këtë fakt”, tha Rama para ambasadorëve.

Duke folur për Gent Cakjan, ai tha se “paragjykimet dhe mllefi i injorantëve kanë bërë për të prezantimin më të rrejshëm që mund të imagjinohet përpara se ai të hapë gojën si ministër”.

Për këtë qasje ndaj tij, Kryeministri rendit tre arsye që sipas tij janë mosha e re, të qënurit i pastër, dhe se është nga Prishtina.

Kreu i qeverisë tha se Cakja nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan, e aq më tepër mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme”, u shpreh Rama.  /k.k/noa.al/