PD paralajmëron bojkot parlamentar edhe në sesionin e ri, Paloka thumbon Ramën
Transmetuar më 10-01-2019, 17:45

Më 21 janar pritet të nisë sesioni i ri parlamentar, por Partia Demokratike me shumë mundësi do të vijojë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin.

Për nënkryetarin e Partisë Demokratike, Edi Paloka, pas rrëzimit të ligjit të vettingut opozita nuk ka arsye për të marrë pjesë në parlament.

Gjatë një interviste për News24, Edi Paloka konfirmoi se Partia Demokratike po përgatitet për të marrë pjesë në zgjedhje, por vetëm pasi Edi Rama të mos jetë kryeministër. Ai tha se selia blu po përgatitet për zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një ditë.

“Pozicioni ynë është i qartë. Nuk mund të kthehemi në një parlament me hajdutë dhe kriminelë. Largimi i Edi Ramës është problemi i parë”- tha Paloka.

Nënkryetari i selisë blu tha se do të vijojë mbështetja për të gjitha aksionet dhe protestat qytetare sic është bërë deri më tani.

Sipas Palokës vendimin përfundimtar për qëndrimin ndaj parlamentit e merr opozita.