Transmetuar më 10-01-2019, 11:12

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka dalë kundër deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, i cili i paralajmëroi një ditë më parë, se mësimi mund të shtyhet deri në korrik ose gusht, me rrugën që kanë nisur studentët.

Por ditën e sotme, studentët e kanë përshkallëzuar protestën duke u ngujuar brenda fakulteteve.

Ngujimi u nis nga studentët e fakultetit të Drejtësisë për të vijuar me ata të Shkencave të Natyrës dhe fakultete të tjera në Tiranë.

Ndër kërkesat e studentëve është shtyrja e sezonit dhe procesit mësimor deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare për kërkesat e tyre.

Po ashtu kërkohet shtyrja e afatit të pagimit të tarifave dhe shtyrja e procedurave për marrjen e bursave deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare.

Ndër të tjera kërkohet që të mos penalizohen studentët deri në përfundimin e bojkotit.

Ndërkohë rektorati i Universitetit të Tiranës, ka dalë me vendim lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura të mësimit. Në një mbledhje të zhvilluar gjatë kësaj të marte, u vendos që mësimi të zëvendësohet për pesë fundjava me radhë.

Më konkretisht në mbledhjen e rektoratit të datës 8 janar, u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore, e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, dhjetë ditë mësimore.

“Pas diskutimeve të shumta për të mos prishur strukturën vjetore, Rektorati vendosi që mësimi të plotësohet ditën e shtunë dhe të diel për pesë javët në vazhdim, pra, deri më 10 shkurt 2019. Regjistri të plotësohet në periudhën e ndërprerjes së mësimit gjatë dhjetorit. Ditën e shtunë dhe të diel të javës së parë do të zhvillohet mësimi i dy ditëve të hëna e me radhë”, thuhet në njoftim.

Duke folur në një takim për bashkëqeverisjen gjatë kësaj të mërkure, Rama u ndal gjatë te protesta e studentëve duke thënë se rrezikon që mësimi të shtyhet në korrik dhe gusht, madje për disa studentë rrezikohet që të humbet edhe viti. /a.y/noa.al

Protesta e studentëve, Rektorati del me vendim për zëvendësimin e orëve të humbura

Studentët vijojnë bojkotin, ngujohen brenda fakulteteve

Rama: Mësimi mund të shtyhet deri në gusht, ka pedagogë që po i lënë studentët rrugëve