Transmetuar më 10-01-2019, 10:34

Teksa studentët vijojnë bojkotin e mësimit madje ditën e sotme janë ngujuar brenda fakulteteve, Rektorati i Universitetit të Tiranës, ka dalë me vendim lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura të mësimit.

Në një mbledhje të zhvilluar gjatë kësaj të marte, u vendos që mësimi të zëvendësohet për pesë fundjava me radhë.

Më konkretisht në mbledhjen e rektoratit të datës 8 janar, u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore, e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, dhjetë ditë mësimore.

“Pas diskutimeve të shumta për të mos prishur strukturën vjetore, Rektorati vendosi që mësimi të plotësohet ditën e shtunë dhe të diel për 5 javët në vazhdim, pra, deri më 10 shkurt 2019. Regjistri të plotësohet në periudhën e ndërprerjes së mësimit gjatë dhjetorit. Ditën e shtunë dhe të diel të javës së parë do të zhvillohet mësimi i dy ditëve të hëna e me radhë”, thuhet në njoftim. /a.y/noa.al