Transmetuar më 10-01-2019, 08:06
Viktimat e atentatit ne Elbasan

Mbrëmjen e kësaj të mërkure në qendër të diskutimit në emisionin ‘Repolitix’ ishte vrasja e trefishtë në Elbasan në datë 29 dhjetor. Viktima të atentatit mafioz mbetën Endrit Alibej, që ishte shënjestra së bashku me xhaxhanë e tij, Arben Dylgjeri dhe turkun Erdal Durunay, ndërsa deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Pista ku po hetohet është prishja e pazareve të drogës në Itali. Në emision u zbulua ekskluzivisht roli i Endrit Alibejt në trafikun e drogës në Itali në dosjen prej 237 faqesh. Gazetari Artan Hoxha publikoi edhe një foto të kohëve të fundit të Endrit Alibejt, pak ditë para se të ekzekutohej në Elbasan në datë 29 dhjetor të 2018.

Dosja e drejtësisë italiane për Endrit Alibejn

Operacioni i policisë italiane që çoi në arrestimin e Endrit Alibejt në 4 qershor të vitit 2013 është konsideruar si nga operacionet më të suksesshme kundër trafikut të drogës në vendin fqinj. Report Tv publikon pamjet e momentit të arrestimit në Itali në 2013.

Sipas medias italiane në këtë operacion të paprecendetë kanë marrë pjesë mbi 300 agjentë dhe u arrestuan në flagrancë mbi 15 persona ndërsa u sekuestruan rreth 30 kg kokainë.

Policia italiane gjithashtu arriti të dokumentonte trafikun e drogës për të paktën 30 kg me një vlerë mbi 10 milionë euro. Ndërkohë në total policia ndërmori 31 procedime. Të shumta kanë qenë kontrollet në qendër të Astit në veri të Italisë për të çmontuar atë që policia italiane e cilësoi një kartel kriminal shqiptaresh me pjesëmarrje edhe të shtetasve italianë. Operazioni “cocash” ka zgjatur përreth dy vjet nga gushti i vitit 2011 deri në qershor 2013 dhe është shtrirë krahas veriut të Italisë edhe në Holandë.

Në deklaratën e tij drejtuesi i operacionit të policisë italiane theksoi se vështirësia lidhej me faktin se në kërkim ishin persona me lëvizshmëri të madhe të cilët përdornin disa emra dhe nofka.

Gjithashtu për policinë italiane surprizë ishte dhe fakti i gjetjes se tre pistoletave dhe municioneve te tjera në banesën e njërit prej personave të hetuarve.

Mes te arrestuarve të operacionit të 4 qershorit ka qenë dhe Endrit Alibej së bashku me të vëllait të tij Andrea Alibej. Pikërisht 29-vjeçari i arrestuar në atë kohë përdorte disa emra madje edhe te shtetësive te ndryshme. Endrit Alibej përdorte gjithashtu emrin Endrit Dylgjeri apo Ravik Dylgjeri duke përdorur në këtë rast mbiemrin e nënës. Gjithashtu ai përdorte dokumentet si shtetas rumun Gabriel Manu apo si shtetas grek me emrin Dimitrios Kriporis. Endrit Alibej ka përdorur sipas dosjes italiane dhe nofkat “Tino” dhe “Tarzan”.

Ndërsa vëllai i tij renditet i 10 në listë me emrin Erion Alibej. Por edhe ai përdorte dy emra të tjerë Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej. Sipas policisë italiane të dy vëllezërit drejtonin një grup te trafikut të drogës nga Holanda drejt veriut të Italisë. Hetimet e policisë italiane janë zhvilluar kryesisht në rajonin e Astit por janë shtrirë edhe në Holandë. Sipas dosjes italiane dy vëllezërit të konsideruar si koka e grupit janë vënë në përgjim në gusht të vitit 2011 pasi dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje droge në veri dhe në qendër të Italisë. Po sipas dosjes hetimore dy vëllezërit kishin kontakte të shumta si me furnizuesit e lëndës narkotike ashtu edhe me blerësit, shkruan ‘shqiptarja.com’. Përgjimet shkojnë deri në Amsterdam ku Endrit Alibej shfaqet duke bërë pazare droge me një bashkëatdhetarin shqiptar te identifikuar nga policia italiane me emrin Astrit. Në një bisedë të përgjuar të datës 7 dhjetor të vitit 2011 Endrit Alibej e pyet Astritin:

Endrit: Prej sa kohesh je ti këtu Astrit?

Astrit: 6 apo 7 vjet… Do ta marrësh me 10000 por me lekë në dorë…

Kjo është një pjesë e vogël e shumë përgjimeve të dosjes prej 237 faqesh që çoi në arrestin me burg të Endrit Alibej. 29-vjeçari shfaqet si personazh kryesor ne këto përgjime të këtij grupi që policia e ka cilësuar si kartelin shqiptar të drogës. Endrit Alibej u dënua nga gjykata e Apelit me 5 vite burg por ishte ne pritje te gjykimit ne Kasacion. Ai ishte lënë i lirë pas vuajtjes së dënimit ndërsa ishte kthyer ne Shqipëri pak ditë para se te ekzekutohej ne 29 dhjetor ne Bradashesh.