Transmetuar më 09-01-2019, 14:13

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë del me deklaratë lidhur me njoftimet nëpër fakultete nga ana e sekretarive.

MAS thotë se ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë në rast të plotësimit të kritereve të përmendura, në Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.778, 779, 780, 781, 782 dhe 784, datë 26.12.2018, për të vijuar me financimin.

“MAS u tërheq vëmendjen e sekretarive mësimore pranë Universiteteve që të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët dhe të garantojnë informacionin sipas vendimeve të sipërcituara”, thuhet në qëndrim.

Më tej deklarohet se veprimtaria e tyre do të monitorohet dhe do të mbahet qëndrim, bazuar në ligj, për këdo që keqinformon apo vepron në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.

Më herët gjatë ditës së sotme duke folur për studentët, Rama tha se “Në shumë sekretari të universiteteve ku ka rënë pluhuri i kohës dhe indiferencës ndaj procesit të zhvillimit normal të jetës universitare, ju thuhet do paguhet kuota e plotë. Në shqipen e ëhats up do thuhej ju s’keni sytë që t’iu dalin se gjithë të tjerat janë të qarta si drita e diellit. Vendimet janë marrë janë publikuar, qeveria do paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët pa përjashtim, përfshi dhe për ata me 4 dhe 5, do paguajë 100% tarifën e studimit për ata me notë 9-10 mesatare, studentët me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuara dhe kategori specifike do marrin bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja në muaj”.

Ai deklaroi se këtë që edhe bufat e kanë marrë vesh, nuk e kanë marrë vesh disa sekretari universitetesh, duke shtuar se sipas tij kjo është e qëllimshme.

Duke u ndalur në komunikimin e drejtpërdrejtë me studentët, Rama tha se ka mësuar se ka pedagogë që refuzojnë të bëjnë mësimin, por preferojnë që ti lënë studentët rrugëve se duan të rrinë vetë nëpër kafe, siç ka drejtues universitetesh tha ai, se ky proces do shkojë drejt tyre që nga rektori i Universitetit të Tiranës që “bën lojën e nondajës”. /a.y/noa.al