Përplasja PD-PS, lista e plotë e deputetëve më sherrxhinj në Kuvend
Transmetuar më 09-01-2019, 13:06

Konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës është shoqëruar shpesh herë edhe me përplasje të forta fizike edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Rastet më të fundit ishin ato që u shënuan në dy seancat e fundit të sesionit të shkuar parlamentar, ku pjesë e përplasjeve u bë edhe kryeministri, Edi Rama. Por natyrisht që ngjarjet më të rënda të këtyre dy legjislaturave të fundit janë padyshim ato kur deputetët socialistë, Armando Prenga dhe Arben Ndoka qëlluan me rrip dhe grushte, në dy raste të ndryshme, deputetin demokrat, Gent Strazimiri. Të gjendur para këtij konfliktualiteti në rritje, drejtuesit e Kuvendit janë përpjekur që të ashpërsojnë masat penalizuese ndaj deputetëve “sherrxhinj” për t’i dhënë më shumë hapësirë debatit dhe fjalës se sa forcë dhe dhunës fizike.

Kështu, në total në afro 5 vite Byroja e Kuvendit ka marrë masa për plotë 21 deputetë të ndryshëm, ku nuk mungojnë as deputetet femra.

Listën e kryeson deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili është bërë pjesë e një numri të lartë përplasjesh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe në komisionet parlamentare. Në të paktën 6 raste Byroja e Kuvendit e ka gjetur atë fajtor për gjenerimin e konflikteve apo edhe fjalorin e përdorur ndaj deputetëve të tjerë apo anëtarëve të kabinetit qeveritar. Shumicën e rasteve kur është përfshirë në konflikt, Noka i ka në dy vitet e fundit, 2017, 2018. Ndaj tij janë marrë disa masa të ndryshme dënimi, ku dominojnë ato me përjashtim nga pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisionet parlamentare deri në 10 ditë. Pas tij, i dyti në listën e deputetëve me më shumë dënime nga Byroja është deputeti, Gent Strazimiri. Ai është dënuar plot 4 herë nga Byroja, ndërsa në një pjesë të mirë të rasteve të tjera ka qenë edhe viktimë e dhunës.

Edhe Strazimiri është dënuar kryesisht me 10 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe në të paktën 1 rast tjetër vetëm me vërejtje. Pas tij me të njëjtin numër dënimesh vjen, Edi Paloka me plot 4 dënime.

Në listën e deputetëve konfliktual është edhe ish-kryeministri, Sali Berisha, me 3 dënime. Lista vazhdon me 4 deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianjin, Endri Hasën, Kejdi Mehmetajn dhe Endrit Brahimllari, të cilët janë dënuar me nga dy herë me përjashtim nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet e përhershme të Kuvendit. Në listën e deputetëve që janë të dënuar me mospjesëmarrje në Kuvend është edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Shkak për këtë dënim është bërë gjuajta me çizme që ajo i bëri kryeministrit Edi Rama, gati 1 vit më parë, gjatë momentit kur në Kuvend u votua kryeprokurorja e re e përkohshme, shkruan ‘GSh’.

Lista e deputetëve që janë dënuar vetëm 1 herë nga Byroja e Kuvendit është e gjatë, dhe ajo dominohet kryesisht nga deputetët e opozitës. Kështu, pjesë e saj janë deputetët: Klevis Balliu, Bardh Spahia, Bujar Çela, Erion Braçe, Roland Keta, Arben Ristani, Bedri Hoxha, Albina Dede, Arben Noka, Pjerin Ndreu, Xhemal Qefaliaj dhe Armando Prenga.

Renditja e deputetëve konfliktualë

Flamur Noka është dënuar 6 herë

Gent Strazimi është dënuar 4 herë

Edi Paloka është dënuar 4 herë

Sali Berisha është dënuar 3 herë

Ervin Salianji është dënuar 2 herë

Endri Hasa është dënuar 2 herë

Kejdi Mehmetaj është dënuar 2 herë

Endrit Brahimllari është dënuar 2 herë

Klevis Balliu është dënuar 1 herë

Monika Kryemadhi është dënuar 1 herë

Bardh Spahia është dënuar 1 herë

Bujar Çela është dënuar 1 herë

Erion Braçe është dënuar 1 herë

Roland Keta është dënuar 1 herë

Arben Ristani është dënuar 1 herë

Bedri Hoxha është dënuar 1 herë

Albina Dede është dënuar 1 herë

Arben Noka është dënuar 1 herë

Pjerin Ndreu është dënuar 1 herë

Xhemal Qefaliaj është dënuar 1 herë

Armando Prenga është dënuar 1 herë