PD flet me dokumente: Rama nuk i justifikon dot 400 milionë lekët e shtëpisë në Surrel
Transmetuar më 09-01-2019, 12:29

Partia Demokratike akuzon se Edi Rama ka gënjyer shqiptarët për pasurinë e tij dhe se ai nuk i justifikon 400 milionë lekët e deklaruar për shtëpinë e Surrelit as me paratë e gruas.

Deputetja demokrate Oriola Pampuri në një dalje për mediat nga selia blu, tha se kreu i qeverisë së Shqipërisë nuk justifikon të paktën 300 milionë lekë, me të cilat thotë se ka ndërtuar shtëpinë dhe se kjo është një vepër që të çon në burg.

Sipas saj, Edi Rama nuk mund t’i gënjejë dot më shqiptarët se shtëpinë në Surrel e ka bërë me kursimet e gruas.

Deputetja demokrate tha se faktet janë e zeza mbi të bardhë në deklaratën e tij të pasurisë.

“Çifti kryeministror nuk ka deklaruar aq të ardhura, sa të justifikojnë ndërtimin e një shtëpie superluksoze me vlerë 400 milionë lekë. Partia Demokratike po publikon sot dokumentet zyrtare që provojnë se të ardhurat e deklaruara të Edi Ramës dhe të të ardhurat e gruas së tij nuk kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve dhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtëpisë në Surrel. Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë”, u shpreh Pampuri.

Ajo tha se në vitin 2012, Edi Rama ndërtoi shtëpinë e tij në Surrel dhe, kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë, deklaroi se ka shpenzuar plot 400 milionë lekë për ndërtimin e saj, pra plot pesë herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama.

Në vijim shtoi se sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-ën, rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh, por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milion lekë.

Në këtë linjë denoncoi se dokumentet zyrtare faktojnë se të ardhurat e Edi Ramës më 2013-ën nuk e justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtëpisë superluksoze në Surrel.

“Ne do t’i vëmë në dispozicion çdo gazetari deklaratat e pasurisë së Edi dhe Linda Ramës. Nëse nuk censurohen, gazetarët dhe redaksitë e lajmeve mund të verifikojnë vërtetësinë e pohimeve të Partisë Demokratike se Edi Rama ka gënjyer me deklaratën e pasurisë. Për Kryeministrin e Shqipërisë ka sot vetëm një pyetje: Ku i gjeti Edi Rama 400 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë superluksoze më Surrel, kur, bashkë me gruan, kishte deklaruar vetëm 80 milionë lekë kursime?”, tha ndër të tjera deputetja demokrate.

Ajo e mbylli fjalën e saj duke deklaruar se ka ardhur koha që Edi Rama “i oxhakut 18 mijë euro” të përgjigjet dhe të mos fshihet më pas fustanit të gruas. /a.y/noa.al