Transmetuar më 09-01-2019, 07:32

Konsumatorët shqiptare janë përfshirë në një qark pesimizmi, pasi prej vitesh kanë shmangur blerjet e mëdha.

Madje ecuria reale e blerjeve të mëdha, ku përllogariten kryesisht banesa dhe pasuri të paluajtshme kryesisht, ka rezultuar edhe më e përkeqësuar se parashikimet e konsumatorëve, sipas një ankete të Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të individëve në tremujorin e katërt të vitit 2018.

Pjesa dërrmuese e konsumatorëve pohuan se në tremujorin e katërt të 2018 nuk kishin blerë mallra me vlerë të madhe. Balanca e përgjigjeve ishte negative në më shumë se 61 për qind.

Në anketën që ishte bërë në tremujorin e tretë të vitit 2018, se si konsumatorët i prisnin blerjet e mëdha në tremujorin e katërt,  balanca e përgjigjeve negative ishte mbi 44 për qind, por në realitet zhvillimet reale të blerjeve në tremujorin e katërt ishin edhe më të përkeqësuara pasi  balanca e përgjigjeve negative ishte më shumë se 61 për qind.

Sistematikisht që në tremujorin e katërt 2016, konsumatorët kanë qenë më optimist për blerjet e mëdha, teksa zhvillimet reale kanë qenë me të përkeqësuara se pritshmeritë.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin braktisjen e blerjeve të mëdha me efektin emigracion. Një sondazh i fundit i Gallup ka gjetur se 60 për qind e shqiptarëve kanë në plan të emigrojnë.

Duke mos e planifikuar të ardhmen e tyre në vendin tonë ata ngurojnë të blejnë mallrat ë qëndrueshëm të tilla si shtëpi dhe toka, apo mjete të tjera që kushtojnë, shkruan ‘monitor’.

Kjo sjellje e konsumatorëve është e dëmshme për ekonominë, pasi nga ana tjetër oferta në sektorin e ndërtimit po vjen gjithnjë e në rritje prej numrit të madh të lejeve të dhëna për banesa kryesisht në Tiranë.