Letër-porosia nga Italia e konfirmon, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë i dënuar
Transmetuar më 08-01-2019, 13:38
Ish-gjyqtari Admir Thanza

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke mos kaluar dot procesin e vetingut, rezulton i dënuar në Itali.

Kjo gjë është konfirmuar nga një letër-porosi e mbërritur në Prokurori nga shteti italian.

Dënimi i tij në shtetin fqinj u zbulua nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të vetingut, ku nuk e kishte deklaruar dënimin. Për pasojë ai u shkarkua më 17 korrik.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se Thanza ishte dënuar për vjedhje në Itali, ku kishte dhe një gjobë, por në formularin e dekriminalizimit e kishte fshehur.

Ai është dënuar për vjedhje në vitin 1999 nga shteti italian. Në vendimin e gjykatës italiane, Thanza është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë.

Në seancën dëgjimore, Thanza deklaroi se kurrë në jetën e tij nuk do mund të bënte një veprim të tillë, por se pafajësinë e mori përsipër për të mbrojtur një fëmijë, djalin e vëllait të tij.

“U bë një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit se nuk do të jetë asnjë shënim, përveç një gjobe. Madje unë e falënderova gjyqtarin për gjobën. Kur isha subjekt i dekriminalizimit mora certifikate dhe isha i pastër. Me sinqeritet, s’mund ta imagjinoni dot dhimbjen që ndieja për të. Nipi është pa baba, ka patur një sëmundje të rëndë dhe u dërgua në Itali për kurim dhe krimin e kreu kunata. E mora përsipër fajin për të shpëtuar nipin, jo kunatën. Druaja se djali i vëllait do mbetej pa përkrahje, nëse dënohej e ëma dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë”, deklaroi gjyqtari.

Më tej sqaroi se mjekësia italiane e shëroi djalin e vëllait dhe se sot ai është 28 vjeç madje ka edhe një fëmijë.

Ndërkohë, në raportin e ILDKPKI thuhej se Thanza ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, ka fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme. /a.y/noa.al