Transmetuar më 08-01-2019, 13:29

Disa ditë pas krimit makarbër ku një 34-vjeçar vrau me thikë gruan dhe motrën e saj 18-vjeçare, kryetari i bashkisë së Ballshit tregon detaje të tjera rreth ngjarjes.

Në një prononcim për ‘News24’, Agron Kapllanaj pohon se të gjithë banorët e zonës janë të shokuar për ngjarjen, ku të vrara mbetën Gentiana dhe Merisa Caushi.

Mes të tjerash kryebashkiaku tregon edhe gjendjen në të cilën ndodhen aktualisht dy fëmijët e çiftit të mitur, të cilët ishin në banesë gjatë kohës kur Gazmend Musta masakroi me thikë nënë e tyre dhe tezen.

Kapllanaj tha se pak pas krimit, Gazmendi i kishte çuar fëmijët të dy në polici, ndërsa këta të fundit u trajtuan nga një punonjës social dhe psikolog dhe me pas u dërguan në fshatin SOS.

Po ashtu kryebashkiaku tregon se bashkia ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve të funeralit për dy motrat.

“Jemi të shokuar ne dhe jo më familjarët e viktimave të cilat humbën jetën. Një dramë tjetër janë fëmijët, të cilët kanë përjetuar tmerrin e asaj që ndodhi, pasi babai aktin e kreu në sy të tyre, dhe ata kanë qenë të traumatizuar. Menjëherë pasi ndodhi ngjarja, unë jam gjendur si kryetar bashkie aty por edhe si qytetar në radhë të parë. Jemi interesuar për fëmijët, të cilët autori i kishte çuar në polici. Ne kemi çuar aty psikologen dhe punonjësen sociale të Bashkisë të cilat janë marrë me fëmijët gjatë gjithë kohës. Vetë kam qëndruar pranë familjarëve të viktimave, që kanë qenë të shokuar dhe traumatizuar.

Vetë familjarët e viktimave ishin duke shkuar tek vajza e tyre, madje i kishte ftuar autori për darkë. Atë natë fëmijët u strehuan tek një i afërm, dhe të nesërmen i kemi mbajtur në Bashki në prezencën e punonjësve sociale dhe të psikologes dhe të policisë. Familjarët nuk ishin në gjendje që të na jepnin një përgjigje nëse mund t’i merrnin fëmijët. Na është dashur të flasim edhe me institucione të tjera shtetërore, me Qendrën e Emergjencave në Tiranë, që na u përgjigjën pozitivisht për t’i marrë atë natë dhe më pas ditën tjetër i transferuan në fshatin SOS. Ne përgatitëm dokumentacionet dhe fëmijët ishin shoqëruar nga psikolog dhe punonjës social. Në fshatin SOS kanë kushte më të mira dhe një staf të specializuar për trajtimin e tyre”, tregoi Kapllanaj.

Ai tha se Bashkia ka bërë të gjithë procedurën ligjore dhe njerëzore, ku vetë stafi i bashkisë ka shkuar dhe i ka blerë rroba fëmijëve dhe ushqime.

Më tej thotë se gjendja tek familjarët e dy vajzave që humbë jetën është shumë e rëndë, pasi babai i tyre është i sëmurë dhe nuk janë në gjendje të mirë ekonomike.

“Kam qenë prezent edhe gjatë ceremonisë së varrimit dhe kam parë që ata kanë përjetuar një dramë të vërtetë. Vëllai i dy viktimave ka pësuar vdekje klinike gjatë varrimit dhe më pas u shoqërua urgjent në spital. Falë Zotit ai sot është mirë. Babai i tyre është në gjendje të rëndë, pasi ka qenë dhe i sëmurë. Ne jemi munduar që dhe do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë afër, duke i ndihmuar edhe nga ana ekonomike që t’i heqim një pjesë të shpenzimeve të funeralit. Do i propozojmë Këshillit Bashkiak miratimin e një fondi specifik për këtë rast. Disa herë ata kanë pasur probleme dhe mosmarrëveshje në çift. Kanë shkuar disa herë edhe afër ndarjes, por ndonjëherë për hir të fëmijëve dhe mentalitetit të zonës, ndoshta mendojnë se është më mirë që të qëndrojnë bashkë për hir të familjes”, tha kryebashkiaku.

Krimi i rëndë ndodhi teksa Musta ndodhej në gjendje të dehur, ndërsa Gentiana i kishte kërkuar që të shkonte tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës, gjë që nuk u pranua prej tij.