Transmetuar më 08-01-2019, 11:53

Zbriti nga avioni i cili kishte ardhur nga Stambolli gjatë së dielës, pas një udhëtimi një javor.

E priste gruaja italiane, ndërsa ai një shqiptar i moshës 37-vjeçare dhe shtetësi italiane i cili qëndronte prej 11 vitesh në mënyrë të rregullt në Itali, përfundoi në pranga.

Policia kufitare e Orio al Serio në Bergamo, teksa e ndaluan për verifikime si shumë pasagjerë të tjerë që vinin nga Turqia, zbuluan se ishte i kërkuar.

Ai tregoi një dokument me anë të së cilit identifikohej si A.H., 38 vjeç nga Kosova.

Por nga një kontroll i thelluar u zbuluan disa identitete lidhur me atë emër, ku me njërin prej tyre rezultonte në kërkim nga Interpoli.

Kështu policët i morën shenjat e gishtave, ku rezultoi se bëhej fjalë për 37-vjeçarin K.D., nga Shqipëria.

Në vitin 2004 Interpol kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi ishte shpallur në kërkim për rrëmbim personi.

Ndërkohë Gjykata e Tiranës e kishte dënuar në vitin 2008 me 20 vite burg, për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. /a.y/noa.al