Transmetuar më 08-01-2019, 09:48

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka nisur me shkarkim vendimmarrjen e këtij viti, duke shkarkuar kryetarin Gjykatës së Sarandës, i cili nuk i shpëtoi dot procesit të vetingut.

Në vendimin e dhënë ditën e sotme Alltun Çela u cilësua i papërshtatshëm për vijimin e detyrës, duke iu komunikuar shkarkimi.

Çela nuk i kaloi tre kriteret e vetingut sa i takon pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Nga verifikimet e kryera janë konstatuar probleme të shumta me deklarimet e tij periodike të pasurisë, duke u gjetur i papërshtatshëm për vijimin e detyrës.

Ndaj gjyqtarit Çela në KPK janë regjistruar një numër denoncimesh nga persona të ndryshëm, pjesë e të cilave janë vlerësuar të besueshme nga trupa gjykuese e KPK-së.

KPK konstatoi se gjyqtari i vazhdonte seancat gjyqësore jashtë orarit të përcaktuar, me vonesa nga 4 minuta deri në 5 orë dhe përpara afatit nga 7 deri 20 minuta. /a.y/noa.al