Transmetuar më 05-01-2019, 22:45

Ka nisur në ekranin Top Channel sezoni i tretë i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” me të tjera histori interesante që do të bëjnë për vete publikun çdo të shtunë në primetime.

“Ashtu si në vitin e kaluar, do të kemi në fokus historitë tuaja, historitë tona të secilit prej nesh, ku çdo njeri do të gjejë veten. Jam shumë e sigurt që shqiptarët me zor presin që të shohin njëri-tjetrin në ekran. Janë të lodhur nga politika, janë të lodhur edhe nga personazhet e njohur, ata duan njëri-tjetrin. Duan historitë e tyre. Këtë vit, ndryshe nga sezonet e kaluara, do të jemi 20 javë së bashku, me më shumë se tri orë emision”,- u shpreh Arbana Osmani, moderatorja e këtij programi për TCH.

Sapo ka nisur programin, Arbana ka prezantuar si fillim postierët e vitit të kaluar, si edhe prurjet e reja të këtij edicioni. Bashkë me grupin e postierëve të këtij programi, këtë sezon do të jetë edhe Oni Pustina, i cili ka luajtur të njëjtin rol në programin italian. Megjithatë, siç tha ai në hyrje të programit, pasi falënderoi Arbanën për ftesën, të jesh postier në një program shqiptar, është një ndjesi tjetër dhe një emocion më i madh.

“Dua të të bëj të lumtur” do të trokasë në dyert e shqiptarëve për të dëgjuar historitë e jashtëzakonshme nga njerëz të zakonshëm. Në kaq shumë rrëfime, çdokush mund të dëgjojë historinë e jetës së tij.