Transmetuar më 04-01-2019, 21:06

Reshjet e borës në disa vende kanë bllokuar rrugët, e ndër to është edhe Breza një fshat në Malësinë e Karadakut të Shkupit.

Bllokimi i rrugës nga bora merr edhe jetën e një banori të sëmurë pasi nuk mundën ta dërgonin në spital, shkruan TetovaSot.

Një banor i Brezës për TetovaSot, rrëfen natën e tmerrshme të këtij fshati ku pas çdo reshje të borës ata vuajnë dhe nuk ndihmohen as nga komuna e as nga institucionet tjera.

“Gjatë natës rrugët ishin të  bllokuara, kemi kërkuar ndihmë nga komuna dhe Shtabi Krizës.

Askush nuk na ndihmoi edhe pse kishim raste me njerëz te sëmurë, ku nuk arritëm ta çonim në spital, dhe ndërroi jetë. Kjo është jeta jonë dhe ata që i votuam janë këto që janë” thotë për TetovaSot banori i Brezës.

Si Breza ka shumë fshatra shqiptarësh që në kohën e dimrit janë në mëshirën e Zotit, pasi institucionet marrin masa pas tragjedive që ndodhin.