Shuhet gazetari i njohur shqiptar në natën e ndërrimit të viteve
Transmetuar më 01-01-2019, 14:31

Prej vitesh ai punonte si korrespondent dhe më tej si gazetar në rrjetin radioteleviziv kryesor të Kosovës, RTK.

Latif Voca që shikoni në foto, ka humbur betejën me sëmundjen duke mos e gëzuar dot vitin e ri 2019.

Familja e të ndjerit, njoftoi se varrimi i gazetarit Latif Voca bëhet sot (e martë) në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.

Familja tha se i ndjeri vdiq pasi një sëmundje e përfshiu dhe i mori jetën brenda një kohe të shkurtër.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha sot se me dhimbje të thellë, ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit të RTK-së, Latif Voca.

Voca kishte punuar për shumë vjet si korrespondent i RTK-së nga Mitrovica ndërsa vitet e fundit në Radio Kosovë në Prishtinë.

AGK konsideron se vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen dhe komunitetin e gazetarëve.

Voca do të mbahet mend si njeri me virtyte të larta njerëzore dhe profesionale dhe si gazetar, që i ka shërbyer me devotshmëri profesionit, duke  raportuar në periudha të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi. /noa.al/