Nata e Vitit të Ri kalon me një spektakël fishekzjarrësh në Tiranë
Transmetuar më 01-01-2019, 10:51

Tirana e festoi ndërrimin e viteve me një spektakël të madh fishekzjarrësh, sapo akrepat u takuan në mesnatë.

Me qindra të rinj e të reja, familjarë e fëmijë dolën në sheshin “Skënderbej”, i zbukuruar si asnjëherë më parë, për t’i uruar mirëseardhjen vitit 2019-të dhe për të ndjekur koncertin festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare.

Me urimin për një vit të mbarë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana është vendi i të gjithëve dhe ëndrra e çdo shqiptari për t’ia dalë në mbanë. Ai shprehu bindjen se edhe për 2019-n, të gjithë bashkë do të kemi një qytet më të mirë.

“Tirana është sot vendi i të gjithëve, ëndrra e çdo shqiptari për t’ia dalë në Tiranë! Ndaj, miqtë e mi, së bashku kemi bërë mrekullinë, kemi realizuar ëndrrat tona dhe jam i bindur se në vitin 2019, prapë bashkë, do të kemi qytetin më të mirë të shqiptarëve”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë ia kushtoi të gjitha arritjet dhe ç’do punë të këtij viti të gjithë qytetarëve të Tiranës. “Fjala “bashki”, vjen nga fjala bashkë, nga të qenit bashkë, nga të bërit të punëve bashkë, nga të ëndërruarit bashkë, nga realizimi i projekteve bashkë, ndaj unë dua t’iua dedikoj çdo sukses, çdo arritje dhe ç’do punë të këtij viti, të gjithë qytetarëve të Tiranës: atyre që janë tironsë “den-baba-den”, atyre që janë nga Tropoja, nga Tepelena, nga Kukësi, nga Saranda, nga Shkodra, nga Berati, nga Lushnja, nga Fieri, nga Dibra, nga Durrësi, nga Elbasani, nga Librazhdi”, tha ai.

Festa nisi në orën 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku performuan këngëtarët e njohur  si Evi Reçi, Ardit Çuni. Alban Nimani, West Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ si dhe performanca e shkëlqyer e DJ Vinit. Spektaklit nuk i munguan as kërcimet fantastike të Tan Bramës dhe grupit të tij.