Raporti i Komisionit Europian: Shqipëria e zhytur në pastrim parash me pronat dhe lojëra e fatit
Transmetuar më 31-12-2018, 20:26

Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit për monitorimin e pastrimit të parave në Shqipëri, ka publikuar dhe sektorët kryesorë, përmes të cilëve po bëhet pastrimi i parave në vend.

Komisioni Europian vë në dy mekanizma kryesorë, që janë lojërat e fatit dhe pasuritë e paluajtshme.

“Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave. Profesioni i noterit historikisht është konsideruar i brishtë për shkak të përfshirjes së tij në transaksionet e pasurive të paluajtshme, por rreziqet e tij janë zvogëluar vitet e fundit. Pas rritjes së kontrolleve mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme, ditët e sotme rreziqet më të mëdha janë të pranishme në transaksionet ku nuk përfshihen noterët dhe agjentët e pasurive të paluajtshme (transaksionet informale), thuhet në raport.

Raporti thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare. Niveli i lartë i ekonomisë informale, e kombinuar me përhapjen e lartë të cash, përbën një rrezik për pastrim parash.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave vlerëson se agjentët e pasurive të paluajtshme janë të përfshirë vetëm në 8% të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, ndonëse roli i tyre po vjen në rritje.

Lidhur me lojërat e fatit, raporti thotë se po merren masa nga Policia dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për të luftuar këtë fenomen.

“Autoritetet konsiderojnë në përgjithësi që lojërat e fatit dhe pasuritë e paluajtshme janë sektorët më të brishtë ndaj pastrimit të parave. Për lojërat e fatit, rreziku besohet të lidhet kryesisht me pronësinë dhe kontrollin e pikave sesa me aktivitetin e klientëve. Për sektorin e pasurive të paluajtshme, problemet shtohen nga mosregjistrimi i plotë i titujve dhe në shumë raste, nga mungesa e evidencave të besueshme të pronësisë, sidomos për pallatet e reja, çka përbën një brishtësi që mund të mundësojë pastrimin e parave”, – thuhet në raport.

Siç ndodh gjithnjë, raporti është hartuar në muajt qershor-gusht për t’u përgatitur për publikim në fund të vitit.

Pak javë para daljes zyrtare të këtij raporti, qeveria shpalli vendimin që të ndalojë lojërat e fatit në Shqipëri, përjashtuar kazinotë dhe lojëra të tjera fati në hotele me pesë yje.