Rama në konferencën e fundit: Shqiptarët jetojnë më mire, ekonomia sot më konkurruese
Transmetuar më 31-12-2018, 11:25

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në konferencën e fundit të këtij viti për të folur për ngjarjet kryesore dhe zhvillimet në vend. Shefi i qeverisë e ka nisur me ekonominë duke deklaruar se shqiptarët jetojnë sot më mirë se sa dje. Ai tha se ekonomia shqiptare sot është më konkurruese.

“Fuqia blerëse është rritur. Shqiptarët jetojnë sot më mirë se sa dje pavarësisht se nuk jetojnë sot aq mirë sa me të drejtë duan dhe sa ne me gjithë fuqinë tonë përpiqemi. Është një rritje ekonomike cilësore pasi ka ardhur si pasojë e rritjes së balancuar të konsumit.

Ekonomia shqiptare sot është shumë më konkurruese se 5 vjet më parë gjë që e fakton një mori shifrash. Eksportet kapën vlerën 30% më shumë këtë vit se sa 5 vite më parë”, tha Rama.

Më tej ai theksoi se “Rritja ekonomike në tremujorin e tretë ishte 4.5 për qind, më e larta e një tremujori qysh prej vitit 2011. Po ashtu është rritur konsumi final i popullatës, i cili prej vitit 2013 ka një rritje mesatare 3.5 për qind”.