Transmetuar më 30-12-2018, 22:33

Ramazan Leka 82 vjeç nga fshati Borizanë i Krujës jeton në kushte tepër të rënda, i pa martuar dhe pa fëmijë.

Festat e fundvitit po e gjejnë atë të mbytur në vetmi e në skamje për shkak të burokracive të shumta.

Jeta e tij është nje vuajtje e vazhdueshme pasi në kohën e komunizmit ai u dënua dhe vuajti një dënim prej 27 vite burg duke punuar nëpër minierat e kromit dhe të bakrit. Të ardhurat mujore të tij arrijnë në 55 mijë lekë të vjetra të ardhura këto nga një pencion social.

Sorollatjet e shumta burokratike prej vitit 1992 e deri tani kanë bërë që Ramazani të mos marrë asnjë qindarkë.

Përsa i përket pensionit social ai duhet të merrte 7160 lekë por merr vetëm 5500 pasi pjesën tjetër ia mbajnë për qiranë e tokës që ai nuk disponon.

Natyrisht këto të ardhura atij nuk i mjaftojnë për të përballuar jetesën duke filluar nga ushqimi e ilaçet pasi vuan nga një sëmundje e rëndë lëkure.

"Asnjë lloj feste. Po vuaj më shumë se kur isha në burg në kohën e Komunizmit. Atje të paktën një lugë supë e kisha dhe shkoja bëja normën e detyruar. Për ne nuk pyet njeri", shprehet Ramazani për Report Tv.

Ramazani kërkon nga shteti që t’i njihen vitet e punës kur ishte në burg dhe puna nëper miniera, në mënyrë që dhe këto pak vite që i kanë mbetur ai të jetojë denjësisht e pa borxhe e sakrifica.