Transmetuar më 30-12-2018, 18:36

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se në datën 4 janar do të mbyllet autostrada Tiranë-Durrës për shkak se do të nisë ndërhyrja emergjente për përmirësimin e “situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy tombinove” në segmentin Tiranë–Qafë Kashar.

ARRSH sqaron se di do të bëhet devijimi i qarkullimit pas orës 05:00 të datës 4 janar.

ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve njoftohet se:

-Autostrata Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.

-Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

-Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

-Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe të shfaqur në media.

"Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë", njofton ARRSH në komunikatën e saj./a.k/noa.al/