Transmetuar më 28-12-2018, 11:07

Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama komunikoi ndryshime drastike në qeveri.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ikën nga detyra, për tu zëvendësuar nga Besa Shahini e cila aktualisht mban postin e zv.ministres.

Për Arben Ahmetaj, Rama tha se ka rol absolut në gjithçka që lidhet me shifrat domethënëse dhe fakte domethënëse që për fat të keq e humbasin rëndësinë përballë akuzave dhe se nëse sot shifrat janë të atilla që Shqipëria pati një sukses në tregjet e kapitaleve në botë, merita kryesore i takon ministrit të Financave.

Ai tha se vendin e Ahmetaj, e zë Anila Denaj e cila është drejtuesja aktuale e Fondit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.

“Ditmir Bushati ka meritë të pamohueshme në gjithë rrugën e pamohueshme të politikës së jashtme, shërbime shembullore, por është koha që Ditmiri ti përkushtohet Shkodrës me kohë të plotë dhe të japë kontributin e vetë. Genc Caka do jetë ministri i ri për Europën dhe punët e Jashtme”, u shpreh Rama.

Ai tha se Damian Gjiknuri është ministri që ka lënë shenjë të pashlyeshme në sektorin e energjisë, për të cilin tha se do vijojë punën si udhëheqës në qarkun e Vlorës.

Rama deklaroi se ministrja e re do të jetë Belinda Balluku, për të cilën tha se është drejtuesja e AlbControll.

Ndërkohë ministri i Bujqësisë Niko Peleshi do të zëvendësohet nga Bledi Çuçi.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga Elva Margariti, e cila aktualisht është këshilltare në Kryeministri dhe koordinatore e projektit të 100 fshatrave.

Ndërsa Sonila Qato si ministre për mbrojtjen e Sipërmarrjes do marrë detyrë tjetër të rëndësishme dhe vendin e saj do e zërë Eduard Shalsi.

Rama tha se do të rikthehet ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, e cili do të jetë Elisa Spiropali.

Erion Braçe tha Rama, do të jetë zëvendëskryeministri i ri i Qeverisë duke zëvendësuar Senida Mesin.

Ai thaë se është koha që shumë gjëra të adresohen në shërbimet ndaj popullit dhe se Erion Braçe do të udhëheqë paktin për Universitetin.

Për Blendi Klosin tha se e di afatin që ka deri në qershor, dhe kjo do të varet me rezultatet në qarkun e Beratit, ashtu sikundër dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila ka gjashtë muaj afat. /a.y/noa.al

Lista e plotë, emrat që ikin dhe vijnë

Zëvendëskryeministër

Ishte Senida Mesi – Vjen Erion Braçe

Ministër i Europës dhe Punëve të Jashtme

Ishte Ditmir Bushati – Vjen Genci Cakaj

Ministër i Ekonomisë dhe Financave

Ishte Arben Ahmetaj – Vjen Anila Denaj

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit

Ishte Damian Gjiknuri – Vjen Belinda Balluku

Ministrja e Arsimit

Ishte Lindita Nikolla – Vjen Besa Shahini

Ministri i Bujqësisë

Ishte Niko Peleshi – Vjen Bledi Çuçi

Ministër i Kulturës

Ishte Mirela Kumbaro – Vjen Elona Margariti

Ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Ikën Sonila Qato – Vjen Eduard Shalsi

Ministër për marrëdhëniet me Parlamentin

Post i rikthyer, emërohet Elisa Spiropali