Transmetuar më 28-12-2018, 09:51

Në kuadrin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, Presidenti Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, figura të shquara të klubit “Skënderbeu” në futboll e disiplina të tjera, njëherazi personalitete të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Presidenti vlerësoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: atleten e shquar dhe kampionen e Europës, Pavlina Evro, futbollistin Teodor Vaso, atletin dhe trajnerin Piro Kasati (pas vdekjes) dhe mbrojtësin Koço Dinella.

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) basketbollistet Zamira Koleci, e Tamara Nikolla dhe futbollistin Dhimitër Xhambazi.

Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh: “Është kënaqësi e rrallë të jem në këtë qytet, në Korçën e dashurisë e të arsimit, por është edhe vështirë për të qenë në Korçën e sportit sepse do të na duheshin ditë e netë të tëra për të bërë nderimin e duhur të të gjithë atyre sportistëve të ‘Skënderbeut’ që kanë nderuar Korçën dhe mbarë Shqipërinë”.

Ai shprehu nderimin më të lartë edhe për ata sportistë, për të cilët tha se kanë pasur mundësinë t’i ndjekin që fëmijë si Jani Kaçin që mbronte e zbukuronte portën e ‘Skënderbeut’ e të Kombëtares sonë.

“Por edhe për Jorgjeta Ciricin, Eno Dunin, për Berti Damon, Adriatik Metën, Lindita Shehun, Tomi Stefanllarin, për trainerin Aleko Pilika, Alma Qeramixhi, Dhimitraq Dembon, Miladin Kërçiçin e shumë e shumë të tjerë e deri te brezi më i fundit me Bledi Shkëmbin me shokë”, deklaroi Meta. /a.y/noa.al