Transmetuar më 27-12-2018, 15:38

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka vendosur sot që të nis procedurat për plotësimin me anëtarë të përkohshëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo strukturë e njohur ndryshe si SPAK, sipas KLGJ-së do të plotësohet si fillim me gjyqtarë të përkohshëm.

Ndërkohë që KLGJ ka vendosur gjithashtu të kryhet vetting për magjistratët e rinj të cilët janë diplomuar në vitin 2018.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përputhje me komptencat e përcaktura nga ligji, Këshilli vendosi nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke i hapur rruge krijimit të këtyre gjykatave.

Gjithashtu nisi procesin e komunikimit me institucionet shtetërore kompetente për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018”, thuhet në njoftimin e KLGJ.

Gjithashtu Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi dorëheqjen e gjyqtarit Metush Saraçi. "Këshilli miratoi deklarimin e mbarimit të statusit të gjyqtarit Metush Saraçi, për shkak dorëheqjeje" informon zyra e shtypit pranë KLGJ-së.

Ish-kryetari i gjykatës së Apelit të Tiranës i paraqiti dorëheqjen presidentit të Republikës, si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mësohet se në dorëheqjen e tij, 2 dhjetor 2018 ish-kreu i gjykatës së Apelit të Tiranës kishte dhënë si argument arsyet shëndetësore për shkak të moshës që sipas tij nuk e lejonin të vijonte detyrën si gjyqtar në gjykatën e Apelit.

Dorëheqja e Saraçit erdhi në një moment kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte përfunduar kontrollin e vettingut të listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kandidonin për KLP dhe KLGJ./noa.al/