Transmetuar më 27-12-2018, 15:27

Anemia është një ndër çrregullimet e shpeshta të gjakut që vjen si pasojë e pakësimit të rruazave të gjakut në organizëm. Këto çrregullime mund të sjellin pasoja të pariparueshme në shëndet, si rezultat i uljes se nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit.

Krahas kequshqyerjes, faktorë të tjerë që çojnë në përhapjen e anemisë janë edhe shkatërrimi i tejskajshëm i rruazave të kuqe, humbja e gjakut, çrregullimet e trashëguara, mungesa e hekurit dhe vitaminave, infeksionet e ndryshme, si dhe ekspozimi ndaj lëndëve të ndryshme toksike. Simptomat që e shoqërojnë aneminë janë nga më të ndryshmet dhe shfaqen në forma të caktuara tek çdo individ.

Ndër shenjat karakteristike të kësaj sëmundjeje pohohet të jetë zbehja e lëkurës. Kështu, nëse një person është i prekur nga anemia, manifeston zbehje të lëkurës, skuqje jo normale të buzëve dhe çarje të tyre, rrahje të shpeshta të zemrës, si dhe humbje të përqendrimit.

Të sëmurët anemikë duhet të konsumojnë ushqime të pasura me hekur, si: mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Këtyre të sëmurëve u këshillohet përdorimi i frutave të freskëta që përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Ja disa ushqime që këshillohen.

Mëlçia- Mëlçia është e pasur me hekur, thelbësore për hemoglobinën. Disa persona nuk i pëlqejnë ti hanë për shkak të shijes. Por mendohuni mirë, pasi me kohën do të mësoheni dhe do të fitoni shumë. Është një nga ushqimet më të mira për të marrë hekur.

Bishtajore me perime- Pjatat me bazë perimet dhe bishtajoret nuk japin sasi të madhe hekuri, dhe për këtë arsye kanë nevojë për ndihmë ekstra, perime dhe fruta të pasura me vitaminë C. Lajm i mirë është që ushqimet që kanë këtë vitaminë nuk kanë nevojë të gatuhen. Ndër perimet e pasura me Vitaminë C renditen specat, sidomos nëse janë të gjallë, brokoli, lulelakra, lakra e Brukselit, speci djegës, spinaqi, majdanozi, karota dhe panxhari.

Ushqimet e pasura me acid folik- Acidi folik nuk është i rëndësishëm vetëm gjatë shtatzënisë,por dhe kur keni hemoglobinë të ulët, pra anemi, pasi ndihmon në prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Mes ushqimeve që përmbajnë sasi të mjaftueshme acidi folik renditen asparagët, portokallet, kokrrat e grurit, avokado, fasulja, soja dhe farat e kungullit

Peshqit e kaltër- Përveç të gjithave atyre që përmendëm më sipër peshqit e kaltër janë të pasur me yndyrna, vitaminë B dhe Omega 3, thelbësore për rruazat e kuqe të gjakut. Mes tyre renditen salmoni, peshku ton, sardelet dhe skumbria./b.l/noa.al/