Transmetuar më 27-12-2018, 10:27

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën ditën e sotme për Fadil Kasemin, nën akuzë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildes Hafizi.

Burg përjetë është kërkesa e bërë nga organi i akuzës, ndaj Kasemit.

Po ashtu Prokuroria kërkoi që Kasemi ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

53-vjeçari gjatë seancave të mëparshme në gjykatë, ka thënë se me të shoqen marrëdhëniet i kishin shumë mirë, deri në momentin që nisi shkollën për tu bërë gjyqtare.

Kasemi ka treguar se për shkak se nga ekonomia ishte mirë, pasi merrej me tregti, e ka ndihmuar që të punësohet si edukatore dhe më tej drejtoreshë kopshti.

“Deri para nisjes së shkollës së magjistraturës, me Fildesin kishim marrëdhënie shumë të mira. Edhe në shkollë e futa në mënyrë të paligjshme. Më pas filloi të më thoshte gjëra që nuk i kuptoja, më mbyllte telefonin, më thoshte që nuk i dua fëmijët”, ka thënë 53-vjeçari.

Ai ka treguar se për 15 vite me radhë ka paguar qiranë e prindërve të së shoqes, pa e ditur sa e kishte e shoqja rrogën.

Fadil Kasemi akuzohet për tre vepra penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim dhe mbajtje peng personi” si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Krimi i rëndë ndodhi më 31 gusht 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që 39-vjeçarja Hafizi, doli nga parukeria dhe u fut brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, tip ‘Benz’ me targa AA 880 OS.

Në këtë kohë u afrua Kasemi me një pistoletë në dorë dhe qëlloi me armë në drejtim të Hafizit, duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se çifti kishin dy vjet të divorcuar, por Kasemi nuk e pranonte ndarjen, madje para krimit e kishte kërcënuar edhe herë të tjera me armë Fildesin. /a.y/noa.al