Transmetuar më 26-12-2018, 12:03

Kryeministri Edi Rama thotë se pakti për Universitetin do të bëhet publik mesin e muajit të ardhshëm.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Rama tha se janë marrë vendime të rëndësishme që adresojnë kërkesat e studentëve dhe shkojnë përtej tyre.

Ai tha se së pari janë miratuar katër vendime lidhur me kërkesën e parë për përcaktimin e kategorive të individëve që përfitojnë ulje të tarifës së studimit, së dyti për përcaktimin e kritereve për bursat për studentët e shkëlqyer.

Ndërsa së treti tha se është ndryshuar VKM për kufirin maksimal të pagesës vjetore të shkollimit për studentët dhe së katërti është ndryshuar një tjetër vendim për përcaktimin e kategorive të individëve për kriteret e pranimit.

Kreu i qeverisë deklaroi se janë katër vendime që lidhen me kërkesën e parë të tyre, ku studentët në familje me ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët dhe kategoritë vulnerabël do të kenë financimin e plotë 100% të tarifës, dhe do të përfitojnë bursë studimi 10 mijë lekë të reja në muaj.

Ai sqaroi se një bazë për të mbështetur subvencionuar 100% tarifën ka qenë, por për shkak të shumë devijimeve në këshillat bashkiak, është vendosur që kjo gjë të bëhet drejtpërdrejtë nga qeveria.

“Studentët me notë mesatare mbi 9 do të kenë financim 100% nga qeveria të tarifës së tyre, dhe po ashtu në çdo program studimi do të fitojnë bursë 10 mijë lekë të reja. Ndërsa

deri sot bëhet fjalë për 8100 lekë dhe për studentë me mesatare 10.00. Kjo e zgjeron më tepër gamën për studentët më të mirë. Do ti japim një mundësi të barabartë të gjithë studentëve duke paguar 50% tarifë regjistrimi nga buxheti për pranimin në universitet”, u shpreh Rama.

Ai detajoi duke thënë se të gjithë studentët aktual për pjesën e mbetur të këtij viti akademik, edhe ata me 4 dhe 5, do të paguajë buxheti i shtetit për ta 50% të tarifës.

Në vijim tha se për vitin e ardhshëm gjithë ata që nuk do jenë me mesatare 6 e sipër do humbasin çdo mbështetje financiare.

Lidhur me nivelin e dytë të studimeve, shteti do paguajë për ata me mesatare mbi 9, të verbrit, tetraplegjikët, paraplegjikët dhe kategoritë vulnerabël, 50% të tarifave.

Rama tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë që do të thotë që në janar të gjitha detyrimet financiare do i mbulojë qeveria.

Sa i takon konvikteve shtoi se aktualisht veprojnë 8 kompani për shërbimin, 3 në Tiranë dhe të tjerat në rrethe të cilat marrin mbështetje buxhetore nga shteti dhe në të njëjtën kohë janë shoqëri që kanë nevojë për reformim të thellë gjë për të cilën po punohet.

“Por me aktin normativ të buxhetit janë 3 milionë dollarë shtesë për investime në strukturën e konvikteve. Brenda këtij mandati të gjitha konviktet në Republikën e Shqipërisë do jenë të rindërtuara”, deklaroi Kryeministri. /a.y/noa.al

E detajuar! Çfarë u vendos në mbledhjen e qeverisë mbi Paktin për Universitetin