Transmetuar më 26-12-2018, 10:37

Ishte dënuar me një vit burg për përdhunimin e dy fëmijëve, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë 8 vjeçe, vëlla e motër, por pas tre javësh qëndrimi në burg u la i lirë.

Një vendim që irritoi prindërit dhe familjarët e të miturve, të cilët tani druhen se mund të përballen në rrugë me të apo se mund të përfitojë nga fëmijë të tjerë.

Ngjarja vjen nga Devon, në Angli, ku në kohën e ngjarjes i dyshuari ishte 13 vjeç.

Abuzimi ndodhi teksa i riu i ftonte për të “lozur”. Përdhunimet zgjatën për disa muaj mes viteve 2013 dhe 2015, teksa djali ishte 13 vjeç, ndërsa tashmë është 18.

Në 14 gusht erdhi dënimi i parë me 1 vit burg, por në 7 shtator, gjyqtari i Apelit e rrëzoi, duke e kthyer përdhunuesin në liri, pas dënimit me tre javë burg. Arsyeja? Mosha e mitur e të dyshuarit dhe se me kalimin e viteve nuk ka përsëritur krime të tjera.

Nëna e dy fëmijëve të cilët aktualisht janë 10 dhe 13 vjeç, nuk arrin ta besojë, teksa thotë se “Ishte një abuzim nga më të rëndët! Ishim miq me prindërit e tij dhe takoheshim çdo javë. Ai luante me fëmijët e mi, por në padijeninë tonë, i përdhunonte”.

Zbulimi shokues u bë kur vajza nisi mësimin e edukatës seksuale në shkollë, ku duke folur me të ëmën, i tha se çfarë i bënte djali që mendonte se e kishte shok. /a.y/noa.al