Transmetuar më 25-12-2018, 14:46

Me rastin e Krishtlindjes disa studentë protestues kanë vendosur t’i bëjnë një dhuratë të veçantë kryeministrit Edi Rama. Studentët kanë vendosur t’i dërgojnë kryeministrit një palë pantallona dhe Kushtetutën e vendit.

“Dua t’i themi kryeministrit se të kemi bërë dhuratë një palë pantallona që të paktën njëherë në këto vite të behet serioz, të bëhet kryeministër. Dhe më kryesorja që të lexojë Kushtetutën e Shqipërisë”- thotë një studente.

Më herët një ditë pas mbylljes së protestës për këtë vit, ata i dhuruan Ramës disa kartolina festash, por jo me urime për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri por me kërkesat që studentët i kërkojnë qeverisë të përmbushë prej më shumë se 2 javësh.

Grupi i studentëve mbushën bredhin e Kryeministrisë me kartolina me 8 kërkesat e tyre.

Kujtojmë se studentët protestuan prej më shumë se dy javësh, teksa kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish me protesta në 7 janar nëse nuk plotësohen kërkesat nga qeveria.