Kosovë, qeveria miraton projektligjin për dialogun me Serbinë
Transmetuar më 24-12-2018, 16:33

Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë të hënë ka miratuar sot Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Në fjalën e tij kryeministri, Ramush Haradinaj, është shprehur se Projektligj në një afat të shkurtër do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtimin dhe miratim.

“Me anë të ligjit do të përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Po ashtu, ligji rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, ligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mbanë me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë institucionet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Sipas Prishtinës zyrtare, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht obligative për të dy shtetet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.