Transmetuar më 24-12-2018, 15:28

Zbardhen disa nga vendimet e Kryesisë së Partisë Socialiste, e mbledhur gjatë ditës së sotme me dyer të mbyllura. Kryesia e PS ka vendosur për zhvillimin e Kongresit të partisë më 30 mars për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale.

Në mbledhjen e Kryesisë u bë edhe një analizë e punës organizative të PS në 12 qarqe. Gjithashtu kryeministri Edi Rama ka shprehur kritika për FRESSH se pse nuk kanë informuar për pakënaqësinë e studentëve.

Burimet bëjnë me dije se në mbledhjen e Kryesisë se PS nuk është diskutuar për ndryshimet në qeveri edhe pse kryeministri Rama la të hapur mundësinë e ndryshimeve gjatë prononcimit të tij për mediat jashtë selisë së PS.

“Çdo gjë hap pas hapi. Unë nuk e them asnjëherë fjalën fundit të parën. Di gjithmonë radhën e lëvizjeve, pasi gjithmonë mendohem gjatë para se të bëj lëvizjet. Ne do të bëjmë gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve”- tha Rama.

Më tej ai tha se u diskutua gjatë për protestën e studentëve, arsyen dhe faktorët si dhe domosdoshmëria që shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori nga shumë studentë që i thoshin vetes apolitik, por që sipas tij e kanë shkundur politikën në raport me vetveten dhe i kanë dhënë një shuplakë qeverisë.

Kreu i qeverisë vijoi duke thënë se protesta ka dinamikën dhe trajektoren e vetë, ndërsa reflektimi pas kësaj shuplake do të vijojë dhe thellohet, për të qenë në lartësinë e ambicieve dhe shoqërisë./b.l/noa.al/