Transmetuar më 24-12-2018, 14:23

Pas afro pesë orësh ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të mediave lidhur me ndryshimet e mundshme në qeveri, duke mos i pohuar po as mohuar ato.

“Çdo gjë do bëhet hap pas hapi! Ju e dini që unë nuk e them fjalën e fundit të parën, do vij radha e lëvizjeve pasi mendohem gjatë para se të bëhet çdo lëvizje. Ne kemi shumë për të korrigjuar, kemi bërë gabimet tona, nuk jemi të pagabueshëm! E rëndësishme është që të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara”, u shpreh Rama.

Ai tha se gjatë mbledhjes pati një diskutim të gjatë dhe të dobishëm në kuadrin e një procesit reflektimi që merr shtysë nga protesta e studentëve, por nënvizoi se është në ADN-në e PS dhe është një tjetër shprehje e vetëdijes se çdo ditë ka gjëra për tu përmirësuar dhe se nuk janë të pagabueshëm, ndaj dhe po e lexojnë me shumë vëmendje mesazhin e protestës.

Rama u zotua se do të bëhen gjithë gjërat e duhura dhe do i jepet përgjigje me seriozitet shqetësimit të studentëve madje do të shkohet përtej tij, duke thënë se ka ende shumë për të bërë.

Në këtë drejtim deklaroi se në vakumin e lënë nga opozita dhe në mungesën e një opozite të besueshme, është një sfidë më vete vetëkorrigjimi në vijim.

Ai tha se u diskutua gjatë për protestën e studentëve, arsyen dhe faktorët si dhe domosdoshmëria që shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori nga shumë studentë që i thoshin vetes apolitik, por që sipas tij e kanë shkundur politikën në raport me vetveten dhe i kanë dhënë një shuplakë qeverisë.

Kreu i qeverisë vijoi duke thënë se protesta ka dinamikën dhe trajektoren e vetë, ndërsa reflektimi pas kësaj shuplake do të vijojë dhe thellohet, për të qenë në lartësinë e ambicieve dhe shoqërisë.

“Kemi folur natyrisht për partinë dhe organizmin në tërësi, mekanizmat e komunikimit, domosdoshmërinë e një raporti me shoqërinë, ku shoqëria dhe zëri i shoqërisë të gjejë më shumë hapësirë dhe partia të jetë në kapacitetin të shohë përtej vetes dhe të shtrohet në mënyrë më të natyrshme dhe për raportin në terren me njerëzit”, deklaroi ndër të tjera Edi Rama. /a.y/noa.al