Transmetuar më 24-12-2018, 08:06

Ministria e Financave nëpërmjet buxhetit të vitit 2018 kishte planifikuar të investonte rreth 2 milionë euro në përmirësimin e konvikteve në godinat e qytetit studenti, por deri në fund të muajit tetor këto fonde janë realizuar pothuajse në nivelin zero.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave ketë vit një vlerë prej rreth 250 milionë lekësh ishte planifikuar të investohej në konvikte.

Nga kjo shume 108 milionë lekë ishin të programuara për tu investuar në rehabilitimin e godinave në qytetin studenti dhe 100 milionë lekë po në qytetin Studenti për eficencën e energjisë në këto godina.

Mirëpo deri në fund të muajit tetor realizimi i investimeve në këto projekte ishte zero.

Realizimi i fondeve buxhetore për investime në arsimin e lartë gjithashtu ka qenë shumë i ulët edhe për vitin 2017.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit investimet kapitale në “Programin, Arsimi i Lartë” ishin miratuar 330 milionë lekë, nga të cilat me financim të brendshëm ishin 230 milionë lekë, si dhe financim të huaj në shumën 100 milionë lekë.

Buxheti i rishikuar për vitin 2017 uli financimet për investime në arsimin e lartë duke i çuar në 168 milionë lekë, nga të cilat me financim të brendshëm ishin 82.8 milionë lekë, si dhe financim të huaj në shumën 108 milionë lekë, shkruan ‘monitor’.

Por edhe pse fondet u shkurtuan ato nuk arritën të realizoheshin. Realizimi i shpenzimeve kapitale për 12- mujorin 2017 në këtë program është 72 milionë lekë ose 57 %.

Ministria e Arsimit ka arsyetuar se, financimi i huaj për 12-mujorin e parë 2017 nuk është realizuar, për shkak të rishikimit të marrëveshjes si dhe ndryshimit të selisë së agjencisë zbatuese RASH.