Transmetuar më 23-12-2018, 18:16

Banorët te “Unaza e Re” në Tiranë, protestuan në ditën e 51-të kundër prishjes së banesave dhe bizneseve të tyre.

Ata i bënë thirrje qeverisë gjatë pasdites së sotme, që të tërhiqet nga projekti për prishjen e tyre.

I pranishëm në protestë me banorët ishte edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Kreu i PD-së, tha se në kryeqytet po ndodh ajo që s’ka ndodhur që nga Roma e Lashtë, zhvendosja e lumit të Lanës.

Sipas liderit të së djathtës, kjo bëhet për të mos prekur kompleksin që do ndërtojë miku i deputetit socialist Taulant Balla me firmën e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

“Në vend që këta familjarë të gëzojnë Vitin e Ri, rrinë këtu në mes të rrugës duke protestuar. Dua të them që afera që nisi si korrupsion i pastër është provuar si aferë kriminale. Rama e Veliaj kanë ndryshuar planin urbanistik, të ndryshojnë rrjedhën e lumit të Lanës, që të mos cënohet asnjë centimetër i një kompleksi të një ish-trafikanti që do ndërtojë. Shteti funksionon si institucion hajdut. Të nxirret plani urbanistik i Tiranës të nënshkruar nga Rama e Veliaj, gjëja më absurde që nga koha e Romës së Lashtë. Ndërton aty ortaku i Taulant Ballës, me firmën e Ahmetaj, Ramës e Veliajt”, u shpreh Balla./a.k/noa.al/