Transmetuar më 23-12-2018, 12:20

Shqipëria i ka thënë jo bixhozit, të paktën atij të drejtuar nga privati. Me ndërhyrjet më të fundit ligjore, prej datës 1 Janar të vitit 2019, kumari i ligjshëm në Shqipëri, do të mund të ekzistojë vetëm në kazinotë e licencuara, dhe në afatgjatë, edhe ai i drejtuar nga vetë shteti.

Kjo, pasi ndërhyrjet ligjore saktësojnë se bixhozi, përveç kazinove, do të jetë që këtej e tutje vetëm një e drejtë e shtetit, i njohur me ligj si monopol shtetëror. Por, shifrat që vijnë nga vendet që e aplikojnë këtë lloj skeme, nuk janë aspak inkurajuese.

Italia është një ndër këto shtete, dhe sipas të dhënave më të fundit, në vitin 2017 italianët luajtën në lojërat e fatit thuajse 6 herë Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Ky shembull është i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se, monopoli shtetëror nuk është zgjidhje, të paktën për të dekurajuar popullatën që të kërkojë të ardhurat te fati. Por, është një shembull suksesi i padiskutueshëm, në drejtim të të ardhurave në arkën e shtetit.

Shifrat e kumarit në Itali

“Kumari” kontribuon në të ardhurat e shtetit italian me mbi 10 miliardë euro në vit. Pas periudhash të gjata në rritje, bilanci i bixhozit, ku përfshihen bastet sportive, makinetat, “gërvisht dhe fito”, kazinotë online, etj, kalon sa nga e kuqja, për vitin 2017, në të zezë për 2018-ën.

Ndërmjet 2016 dhe 2017, shteti humbi 154 milionë të ardhura, një rënie prej 1,47%. Në bilancin e vitit të kaluar, çdo dy euro të luajtura nëpër makineta, një euro ka mbetur në arkën e shtetit në formën e taksave apo llojeve të ndryshme të taksave.

Vlerësohet se përgjatë 2017-ës, janë luajtur rreth 100 miliardë euro në bixhoz në Itali. Në 9 muajt e parë të vitit 2018, ndërkohë, bixhozi i është rikthyer rritjes, me 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për frymë rezulton se shpenzimi mesatar fiksohet në rreth 420 euro, duke zbritur këtu normat e fitimit, pra jo të gjitha paratë e luajtura, por vetëm humbja e tyre. Të dhënat nga Shqipëria, ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare dhe jo shifrave që përmend qeveria (të cilat nuk bazohen në të dhënat publike), flasin për rreth 80 euro për frymë.

Pra, në një vend ku funksionon monopoli shtetëror për lojërat e fatit, edhe për bastet sportive, marrëzia për të parë fatin si zgjidhje, jo vetëm për të fryrë të ardhurat, por edhe për të vrarë kohën e lirë, vetëm e sosur që nuk mund të quhet. Me monopolin shtetëror, marrëzia vazhdon, dhe këtë e vërteton më së miri Italia, një vend në të cilin jetojnë jo pak shqiptarë. Madje, qeveria italiane e pranon më së miri këtë problematikë.

Edhe Italia i shpall luftë bixhozit

Qeveria e re italiane duket se ka nisur një betejë ndaj lojërave të fatit, pjesë edhe e marrëveshjes mes “Lëvizjes 5 Yjet” dhe “Ligës”. Në muajin Korrik u vendos që të ndalohej tërësisht publiciteti për lojërat e fatit si dhe rritja e taksimit të fitimeve në “slot machine”.

Me rritjen e këtij taksimi do të financohen punësimet e reja nën 35 vjeç. Kjo është hera e 6-të që prej vititi 2012 që qeveria italiane rrit taksat për bixhozin, duke tentuar ta kthejë praktikisht në një kontribues të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit, e sidomos në një kohë kur Italia dhe Brukseli janë në një përballje të drejtpërdrejtë në lidhje me buxhetin. Praktikisht, pjesa dërrmuese e parave, të cilat italianët i shpenzojnë për të provuar fatin, shkon në mënyrë të drejtpërdrejtë në arkat e shtetit, dhe tendenca është që kjo normë të rritet nga viti në vit. Në këtë drejtim, monopoli shtetëror është një zgjidhje mjaft e suksesshme.

Ndryshimet e reja pritet të përkthehen në 240 milionë euro më shumë në arkat e shtetit italian. Të gjitha këto pritet të çojnë në një ulje të marzhit të fitimit edhe për lojtarët e bixhozit. Kjo do të fillojë të vihet re që prej muajit prill të vitit të ardhshëm.

Mbretërimi i “slot machine”

Ndërhyrje ka pasur vazhdimisht, që me qeverinë e kaluar. Marrëveshja mes qeverisë Gentiloni dhe rajoneve dhe komunave i`a doli që të ulte ndjeshëm numrin e makinetave në qarkullim, në 265 mijë të tilla, nga rreth 400 mijë që ishin.

Një rast i izoluar, ndërkohë, është ai i rajonit të Piemontes, ku u vendos që të eleminohej pjesa dërrmuese e makinetave nëpër bare dhe pika shitjesh të cigareve. Kjo është një panoramë mëse e zakonshme në thuajse çdo cep të Italisë. Por, që prej vitit 2017, jo më në rajonin e Piemontes. Kjo lëvizje ka gjeneruar një rënie të parave të shpenzuara për lojëra fati me rreth 30% në tremujorin e parë të 2018. Në rreth 15 mijë agjencitë e basteve në të gjithë Italinë luhen dhjetra miliarda euro çdo vit.

Gjatë viteve të fundit vihet re një rënie drastike e llotarive, të tipit “Enalotto” dhe “Superenalotto”, me rreth 20% në vit. Bastet sportive, ndërkohë, kanë pësuar një rritje të ndjeshme, me rreth 43%. Sporti i basteve sportive vijon të zgjerohet me ritme të frikshme. Dhe as këtu monopoli shtetëror duket se nuk ka mundur të bëjë asgjë.

Italianët e bixhozit

Vlerësohet se janë rreth 18 milionë italianët të cilët kanë luajtur të paktën një herë bixhoz, gjatë vitit të fundit. Janë 1.5 milion, italianët të cilët vlerësohen si lojtarë problematikë, pra ata të cilët e konsiderojnë si të vështirë menaxhimin e kohës dhe portofolit që i dedikojnë lojërave të fatit, çdo lloj forme të tyre. Këto të dhëna dalin në pah nga një studim i ri i Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, për atë që e konsideron si një epidemi dhe që i referohet pikërisht kumarit.

Por, qeveria italiane e ka kundërshtuar gjerësisht këtë studim, duke pasur kontradikta të forta edhe sa i përket metodologjisë së përdorur për të kryer anketimin. Sipas qeverisë, ky studim është në favor të lojërave të fatit. Janë rreth 13 milionë, italianët të cilët vlerësohet se kanë një qasje sociale ndaj kumarit, pra që luajnë në mënyrë të përgjegjshme, ndërkohë që 2 milionë të tjerë vlerësohen si lojtarë me një profil të ulët risku.

Por, çfarë luajnë më shumë italianët? Pjesën e luanit e zënë lojërat e menjëhershme, pra që nuk kërkojnë shumë kohë, dhe ku fitimi është gjithashtu i menjëhershëm, si “gërvisht dhe fito” dhe llotaritë. “Gërvisht dhe fito” zënë 26% të lojës. “Slot machine” zënë vetëm 7.4%, ndërkohë që vetëm 4% e italianëve që luajnë bixhoz deklarojnë se i “investojnë” paratë e tyre në baste sportive. Pjesa dërrmuese, ndërkohë, 82% e tyre, deklarojnë se luajnë në pikat e shitjes së cigareve (tabacchino), 61% nëpër bare të ndryshme dhe vetëm 12.5% në sallonet e basteve.

Sukses vetëm me “parazitizmin”

Të dhënat duket se flasin qartë; monopoli shtetëror nuk është zgjidhje. Rasti italian vërteton se, në një sistem të tillë, kumarxhinjtë, patologjikë ose jo, luajnë shuma mjaft të mëdha parash në lojëra fati, pjesën më të madhe të të cilave, në ato që kanë fitim të shpejtë dhe që nuk marrin shumë kohë.

Bastet sportive, ndërkohë, zënë një pjesë të vogël, si të parave të shpenzuara ashtu edhe të kontigjentit që luan. Pra, monopoli shtetëror, të paktën në rastin e Italisë, duket se është i suksesshëm, për të frenuar një tjetër aspekt që lidhet ngushtë me lojërat e fatit, apo të paktën një prej aspekteve më të “shëmtuara” të tij, ku në Shqipëri jemi mësuar ta shohim shpesh; vrasjen e kohës. Italianët zgjedhin bixhozin që nuk e vret kohën. Kjo të paktën mund të quhet fitore.

Një tjetër fitore është edhe ajo e parave që hyjnë në arkat e shtetit. 10 miliardë euro në vit janë një shumë e konsiderueshme parash që investohen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Por, anët pozitive mbyllen me kaq, dhe lista vazhdon me të gjitha aspektet negative që burojnë nga bixhozi, pa i hyrë sërish një liste për të cilën shumëkush është i ndërgjegjshëm. Shteti shqiptar sot, është shumë larg të qenit gati për ta ushtruar këtë hapësirë që i lejon ligji, kështu që ndoshta duhet të kalojnë disa vite përpara se monopoli shtetëror të mund të ushtrohet si aktivitet.

Por, frika qëndron dhe rasti i Italisë e fakton më së miri se monopoli nuk është zgjidhje për të luftuar një sëmundje të tillë për shoqërinë./Scan