Transmetuar më 23-12-2018, 11:59

“Dy projektligjet e qeverisë që kërcënojnë me mbyllje dhe me gjoba milionëshe portalet online janë plani i Edi Ramës për kufizimin e lirisë së medias në Shqipëri dhe kontrollin e plotë prej tij të çdo burimi informacioni në vend”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga deputetja demokrate Albana Vokshi, njëherësh kryetare e komisionit të mediave.

Ajo thotë se fuqizimi i portaleve dhe shndërrimi i tyre në një mjet të rëndësishëm për informimin e publikut në mënyrë të pavarur nga qeveria, po i rrezikon Edi Ramës investimin e tij më të madh 20 vjeçar në politikë: propagandën nëpërmjet kontrollit të medias kryesore tradicionale në vend.

Në vijim shtoi se me ndryshimet e propozuara, “arkitekti i shpifjes dhe i mashtrimit”, Edi Rama, ka urdhëruar ndërhyrjen në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe në Ligjin për Median Audiovizive në mënyrë që të kontrollojë, gjobisë apo të mbyllë portalet kritike, ato që i zbulojnë aferat korruptive dhe lidhjet me bandat kriminale.

Deputetja demokrate tha gjithashtu se sipas gjuhës që Edi Rama përdor në projektligj tha ajo, “këto portale lajmesh nxisin vepra penale apo nuk janë në përputhje me moralin publik” dhe se për këtë arsye duhen gjobitur deri në 10 milionë lekë ose duhen mbyllur përkohësisht apo përgjithmonë.

“Ndryshimet e propozuara, detyrojnë të gjitha portalet e informimin të rregjstrohen pranë AKEP-it, një agjenci e kontrolluar nga qeveria, pavarësisht se mund të jenë të regjistruar në bazë të legjislacionit në fuqi, diku tjetër brenda apo jashtë Shqiperisë. Nëpërmjet shtimit të funksioneve të AMA dhe AKEP, Rama po kërkon që, ato të shndërrohen në institucionet që përgjojnë, gjobitin gazetarët dhe mbyllin mediat kritike online. Kjo paketë e censurës mediatike, është arsyeja që Rama po bën çdo përpjekje të kapë edhe Bordin e AMA-s duke shkarkuar në mënyrë antiligjore një nga anëtarët përfaqësues të opozitës në të”, u shpreh Vokshi.

Në vijim të deklaratës nënvizoi se asnjë nga këto parashikime antidemokratike nuk është model i ndonjë vendi të Bashkimit Europian dhe se kjo nuk është një paketë antishpifje, por paketa e censurës së plotë së medias.

Ajo tha se Partia Demokratike i konsideron dy projektligjet, antikushtetuese, që cenojnë rëndë lirinë medias, lirinë e fjalës si dhe të drejtën kushtetuese për informim të qytetarëve dhe se për PD këto dy projektligje janë të rrezikshme dhe PD do të bëjë gjithçka për ta ndalur rënien e një tjetër muri mbrojtës të demokracisë.

“Ne besojmë se u takon edhe gazetarëve të tregojnë publikisht dhe me zë të lartë kundërshtinë ndaj kësaj përpjekje të Edi Ramës për të qenë drejtor lajmesh në televizione, gazeta dhe portale online. Ne inkurajojmë gazetarët të protestojnë kundër censurës dhe autocensurës që po dikton nga qeveria. Protesta për Teatrin, protesta e banorëve të Unazës së Re, protesta e studentëve treguan se Edi Rama është i dobët. Ai ka frikë nga protestat dhe se është gjuha e vetme që ai kupton!”, deklaroi Vokshi.