Transmetuar më 23-12-2018, 10:52

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në takim efektiven e policisë Ina Nuka, pas kthimit të saj nga Turqia, ku ju nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në dorë, pas humbjes së gishtave gjatë protestës para parlamentit ku u hodhën kapsolla.

Rama i tha efektives se do të merret vendim qeverie për mbështetje financiare ndaj saj.

“Ne do të bëjmë një vendim qeverie për të dhënë një mbështetje financiare, por edhe morale që të kesh ndjesinë e plotë të solidaritetit tonë, por edhe mundësinë e plotë që të rikuperohesh plotësisht, pastaj patjetër  të riintegrohesh. Besoj që do të fillosh pak nga pak dhe punën në një detyrë më të lehtë, si fillim e pastaj të shohim”, u shpreh Rama.

Nga ana e saj efektivja falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e dhënë, duke thënë se për shkak të infeksionit në dorë, rrezikoi prerjen e saj.

“Më kanë marrë një kockë në legen, dhe lëkurë në krah dhe këmbë për të formuar gishtin. Brenda gjashtë muajve do të kem ndjeshmërinë e gishtit ku është bërë impianti dhe më pas do të merrem me fizioterapi që të rikthehet funksioni i dorës. Në fillim mjekët nuk më thanë gjë por më pas më treguan që nëse do të isha vonuar edhe dy orë më shumë do të kisha humbur dorën pasi infektimi nga lëndët plasëse është shumë i shpejtë”, i tha Nuka, Kryeministrit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi, i cili shoqëronte Nukën në këtë takim u shpreh se Ina i ka përballuar me sukses të gjitha sfidat në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe besimi tek ajo është shumë i madh, nga të gjithë drejtuesit.