Transmetuar më 21-12-2018, 08:04

Pasi u dërgua në Turqi për ndihmë më të specializuar mjekësore, si pasojë e plagosjes në protestën e 22 nëntorit, efektivja e policisë Ina Nuka iu nënshtrua një operacioni të vështirë, në të cilin u aplikua një metodë e re nga ekipi kirurgjik.

Specialistët që morën pjesë në operacion, thanë për Anadolu Agency se u zbatua një metodë e re trajtimi.

Nukës iu transplantua gisht i bërë nga pjesët e marra nga këllku dhe krahu.

Prof.Dr R.Ünlü tha se Ina Nuka humbi gishtin e madh dhe majat e gishtave të tjerë si pasojë e lëndës shpërthyese.

Ndër të tjera, ai deklaroi se në këto raste mund të krijohet edhe një gisht i ri duke marrë pjesë nga gishti i madh dhe i dytë i këmbës. Por Nuka nuk pranoi, ndaj u desh të realizohet një tjetër teknikë.

“Zhvilluam një teknikë shumë të ndryshme e cila deri tani nuk gjendej në literaturë. Operacioni kaloi me sukses. Kombinuam pjesë nga legeni dhe nga krahu. Me këtë metodë iu përgjigjëm kërkesës së pacientes si dhe nuk mungoi asnjë pjesë nga trupi i saj. Do të zhvillojmë edhe më tej këtë metodë që e kemi zbatuar”, deklaroi mjeku.

Pas operacionit, Nuka ka qenë në gjendje të lëvizë gishtat.