
Ashtu siç ngre sot gjithë publikun në këmbë nëpër koncertet dhe festivalet e saj, njësoj bënte edhe dikur.
Aurela Gaçe është një prej këngëtareve më energjike dhe më të mira të skenës shqiptare. Ndoshta shumë prej jush nuk i kujtojnë fillimet e saj apo pjesëmarrjet nëpër festivale, por Aurela na ka risjellë një prej performancave të saj të 25 viteve më parë në Festivalin e Këngës.
Në videon e publikuar, ajo duket njësoj energjike dhe njësoj e papërmbajtur në skenë. Përkrah videos, Aurela është kthyer pas në kohë duke kujtuar sakrificat e familjarëve të saj dhe duke i falenderuar të gjithë.
“Festoj 25-vjetorin… Në skenën festivalit të madh domethënë, se mos ngatërrohemi. A mundem t’i falenderoj mjaftueshëm ata njerëz që besuan në ëndrrën time akoma pa e filluar? Asnjëherë! Gjithmonë ndihem borxhlie ndaj familjes sime (xhaxhallarë e teze, e deri te kushërinj që më hapën dyert të jetoja me ta çdo vit, nga 2-3 muaj (qysh nga mosha 4 vjeç e gjysmë deri në adoleshencë, pasi ishte rrugëtim i gjatë që në fëmijëri.
E megjithëse familja ime jetonte në fshat, sakrifica bëhej e dyfishtë edhe për familjarët e tjerë që duhet të më mbanin, të më çonin e të merrnin nga provat, përditë, derisa mbaruan edhe festivalet e fëmijëve). Dhe ja, erdha në Festivalin e Madh …1993. Përsëri familja ime u bë mbështetja më e madhe. Hapen dyert, jo një ditë, jo një muaj, por me vite, derisa mami e babi im erdhën pranë meje në kryeqyet. Jam gjithmonë mirënjohëse për çdo sakrificë që kanë bërë për mua dhe për atë, ëndrrën time.
Askush nuk e dinte se ku do të arrija, e nëse ndonjëherë do të arrija diçk, por ata thjesht më ndihmuan. Vlera e tyre njerëzore më ka bërë edhe më të ndjeshme, më ka bërë të kujtoj gjithmonë nga vij e si erdha deri këtu. Faleminderit familja! Ju dua më shume sesa fjalët mund ta shprehin”, -ka shkruar Aurela duke treguar mirënjohjen për të gjithë ata që e përkrahën pa e ditur ku do arrinte.