Transmetuar më 20-12-2018, 17:52

Provë e rënies së sistemit të drejtësisë e ka quajtur Partia Demokratike vendimin e Gjykatës së Krujës, e cila liroi djalin e deputetit socialist, Rexhep Rraja.

Përmes një deklarate shpërndarë për mediat thuhet se “vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë”.

PD shkon edhe më tej duke pretenduar se kjo lëvizje ka në thelb një tjetër çështje.

“I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer  pushtetit kriminal të Edi Ramës”, thuhet në reagim.

Kjo, sipas PD-së, është standardi i dyfishtë që përdor drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama.

“Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama. Nga njëra anë, mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër, lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës”, vijon më tej deklarata.

“Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris.”, përfundon deklarata. /k.k/noa.al/

Dosja “Xhisiela”, Gjykata lë të lirë djalin e deputetit të PS